Connect with us

DREJTËSI

Vetëm KGJK mund të vendosë për rikthimin e gjyqtarëve të dorëhequr në veri!

Published

on

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar në lidhje me dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri të vendit.

Ajo ka thënë se gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr në veri të vendit nuk do të rikthehen sërish në sistem.

Haxhiu këto i tha pas komunikimeve me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Sa i përket KGJK disa prej dorëheqjeve kanë mbrri, disa jo, siç ka thënë kreu i KGJK ata po bëjnë një nalizë. Mendimi jonë është që përsonat që dorëhiqen nuk mund të kthehen sërish në sistem, sepse është goditje për sistemin e drejtësisë nëse një gjyqtar apo një prokuror dorëhiqet për shkak të dirigjimit nga Vuciq” tha Haxhiu.

Mirëpo sipas disa burimeve, për rikthimin ose jo të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr nuk mund të vendosë Ministria e Drejtësisë, por vetëm Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si institucion i pavarur.

KGJK dhe KPK kanë të drejtë t’ua pranojnë dorëheqjet ose jo vetëm nëse ato janë të parevokueshme.

Haxhiu tutje tha se “Dorëheqjet duhet të pranohet, dhe të hapen konkurset për pranimin e prokurorve dhe gjyqtarëve”, duke ushtruar presion direkt mbi KGJK dhe KPK.

Mirëpo edhe nëse hapet konkursi për pranimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj, të pranuarit nuk mund të ushtrojnë menjëherë profesionin e tyre, pasi së pari procedura për përzgjedhjen e tyre zgjat 6 muaj.

E pas përfundimit të konkursit, të pranuarit së pari dekretohen nga Presidentja, e pastaj duhet të ndjekin trajnim një vjeçar në Akademinë e Drejtësisë.

Kjo nënkupton që nëse hapet një konkurs për pranimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri të vendit, gjyqtarët dhe prokurorët e zgjedhur do të mund të fillojnë punën vetëm pas një viti e gjysmë.

Përndryshe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj dhe drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, sot kanë vizituar Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Ata janë takuar me kryetarin e kësaj gjykate, Bekim Veliqi, gjyqtarët, administratoren dhe stafin administrativ, me të cilët diskutuan “për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës pa ndërprerje në situatën aktuale”./Teleskopi.info