Connect with us

KOMUNA

Pas reagimeve për çmimet e larta në Parkingun Nëntokësor, arsyetohet Komuna e Prishtinës

Published

on

Komuna e Prishtinës është deklaruar pas reagimeve për çmimet e larta që do të aplikohen në parkingun nëntokësor.

Përmes një komunikate, është arsyetuar me faktin se në këtë projekt kanë të bëjnë me partneritet publiko-privat dhe se komuna nuk është pronare e plotë e parkingut.

Sipas komunës përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh “investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime”.

“Duam t’Ju rikujtojmë, se në parkingjet të cilat janë pronë e NP “Prishtina Parking”, rrjedhimisht Komunës së Prishtinës, çmimet për parking janë shumë më të lira.
Mirëpo, në rastin e Parkingut Nëntokësor, kemi të bëjmë me Partneritet Publiko-Privat, ku Komuna nuk është pronare e plotë e parkingut” – thuhet në komunikatë.

“Po ashtu, çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat janë mjaft të larta”- thekson Komuna.

Komuna thotë se qëllimi i këtij parkingu është të shërbejë si stacion i përkohshëm parkimi për vizitorët e Zonës 1 – “Qendra”, dhe shton se Komuna e Prishtinës vazhdon të inkurajojë ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës.

“Ky parking, me rreth 600 vendparkingje, synon të reduktojë dukshëm qarkullimin e veturave në qendër të qytetit, përfshirë edhe lirimin e trotuareve për këmbësorë” – thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka kundërshtuar listën me çmimet që janë përcaktuar për parkingun nëntokësor në kryeqytet, duke thënë se janë çmimet e vendosura janë shumë më të larta se me ato të  dakorduara me kontratë.

LVV thekson se në këtë rast është evidente se ka të bëjë me shkelje të kontratës nga ana e operatorit privat dhe miratim në heshtje nga ana e organeve komunale, konkretisht kryetarit Përparim Rama dhe kabineti i tij.

“Kërkojmë nga personat përgjegjës, zyrtarët e Komunës së Prishtinës, kryetari Përparim Rama dhe vartësit e tij, menjëherë ta sqarojnë këtë çështje si dhe ta mbrojnë dhe ta zbatojnë në përpikëri kontratën e këtij projekti. Tarifat duhet të vendosën siç parashihet me marrëveshje dhe të sanksionohen shkelësit e kontratës. Shqyrtimi dhe indeksimi i tarifave për parking mund të bëhet, ashtu siç thuhet në marrëveshje, vetëm pas 3 viteve dhe në marrëveshje me Komunën e Prishtinës”, thuhet në reagimin e LVV-së./Teleskopi.info

Continue Reading