Festivali muzikor, ‘Chopin Piano Fest’ fillon sot në Prishtinë, i cili do të mbahet deri më 9 qershor, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
Chopin Piano FEST Prishtina, ofron interpretime si nga pianistë me famë botërore ashtu edhe nga talentet vendore dhe shërben si platformë shkëmbimi kulturor mes artistëve kosovarë dhe artistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës.
Edicioni i 13-të i Chopin Piano FEST Prishtina 2023 do të mbledhë pianistë të shquar vendas dhe ndërkombëtarë, që interpretojnë jo vetëm veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë.
Një nga organizatorët e këtij festivali, Besa Luzha, tha për Radio Kosovën se në këtë edicion do të rikthehet një formacion i cili ishte themeluar dhjetë vjet më parë, nga profesoresha Lila Pula.
“Kemi në sekstet pianistik, që nuk është format shumë i zakonshëm, por është shumë me rëndësi sepse quhet një lloj seksteti ballkanik, ku kombinohen muzikantët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ky është një element tepër interesant që muzikantët nga vende të ndryshme që nuk janë bashkë, megjithatë arrijnë të sjellin para publikut një vepër tërësisht në një frymë duke u koordinuar dhe harmonizuar.”
Luzha bëri të ditur se gjatë një muaji të këtij festivali, do të mbahen rreth 13 koncerte.
“Festivali fillon më 9 maj deri më 9 qershor. Pjesa e shumicës së koncerteve realizohet deri në fund të muajit maj. Pastaj në fillim të qershorit kemi një javë pak më të ngjeshur me koncerte me nxënës, që është karakteristike maratona pianistike, ku të gjithë nxënësit e të gjitha shkollave performojnë të dielën e 4 qershorit”, tha ajo.
Ndërkohë, Luzha theksoi se në bashkëpunim me Komisionin Evropian në Prishtinë dhe Ambasadën Italiane, më 9 maj organizohet koncerti hapës për të shënuar Ditën e Evropës.
Ajo bëri të ditur se janë përpjekur të sjellin në Kosovë pianistë nga vendet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, duke kontribuuar në diplomacinë kulturore.
Chopin Piano FEST Prishtina, ofron interpretime si nga pianistë me famë botërore ashtu edhe nga talentet vendore dhe shërben si platformë shkëmbimi kulturor mes artistëve kosovarë dhe artistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Koncertet do të jepen falas për publikun./rtk