Të enjten, më 3 nëntor, në ora 12:00, në Institutin Albanologjik në Prishtinë, do të promovohet botimi “Folklori si kujtesë e praktikë: Një perspektivë e re njohëse për folkloristikën”, i studiueses Arbnora Dushi.
Për librin do të flasin: Leontina Gega-Musa e Olimbi Velaj si dhe kolegët nga Dega e Folklorit.
Botimi i fundit i studiueses Arbnora Dushi “Folklori – kujtesë e praktikë: Një perspektivë e re njohëse për folkloristikën”, është rezultat i punës disa vjeçare të autores.
Në këtë libër ajo i qaset folklorit nga aspekti i të trajtuarit të tij si kujtesë dhe si praktikë, këndvështrime këto që i mundësojnë rrëfimet, këndimet, kujtimet. Bazuar në kujtesën ndërbreznore ndaj çështjes së kufirit; historinë gojore, rrëfimin personal e autoetnografinë; baladën e këngën popullore si kujtesë; por edhe folklorin e pandemisë e tema të tjera që lidhen me rrethanat aktuale të krijimit të folklorit në vazhdimësi, Dushi e ndërton tezën e saj mbi idenë e lëvizjes së paradigmës shkencore për folklorin, gjegjësisht zgjerimit të kufijve të definicionit të tij të deritanishëm.
Paradigma e folkloristikës kombëtare, në përballje me tendencat e reja akademike si dhe me nevojat që i imponon praktika e terrenit, mbështetur edhe në shembuj teorikë nga praktikat e folkloristikave ndërkombëtare e me ata nga praktikat lokale, e përbëjnë fokusin e studimit të Arbnora Dushit./Teleskopi.info