Connect with us

DREJTËSI

13 gra vdiqën nga dhuna vitin e kaluar

Published

on

Statistikat e vrasjeve dhe dhunës ndaj grave në Kosovë u quajtën shokuese nga përfaqësues të OSBE-sëtransmeton Klan Kosova.

Në publikimin e raportit për gjendjen e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje në Kosovë nga ky mision, u tha se dhuna në familje kudo në botë e posaçërisht në Kosovë është në përmasa të mëdha e sipas tyre ky është shqetësim i madh.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se vetëm gjatë vitit të kaluar mbi 400 gra kanë qenë të strehuara dhe se sfidë e madhe e strehimoreve është buxheti.

Sipas tij, 13 vdekje të grave u shënuan vetëm vitin e kaluar.

“Është një fakt i frikshëm që vendi më i rrezikshëm i gruas është shtëpia e saj. Së paku 13 vdekje të grave të dhunës së familjeve janë shënuar vitin e kaluar. Janë statistika shokuese. Strehimoret janë domosdoshmërish të nevojshme për ta larguar gruan nga marrëdhëniet abuzive. Mbi 400 raste vetëm vitin e kaluar janë strehuar në shtatë strehimore në gjithë Kosovën”, tha Braathu.

Ndërsa, koordinatori nacional kundër dhunës në familje, Naim Qelaj tha se Kosova ka legjislacion të mirë por të pazbatueshëm.

“Viti 2018 ka qenë vit ku kemi arrit me identifikuar në masë të madhe të metat e sistemit të zbatimit të ligjit. Kosova ka legjislacion shumë të mirë por ngecje ka në zbatim. Dhuna në familje është dukuri që ka mobilizuar të gjithë shoqërinë. Dhuna duhet të trajtohet nga shumë institucione dhe një hallkë e rëndësishme janë edhe strehimoret. Ajo çka duhet të ketë angazhim të shtuar është se duhet të forcojmë mekanizmat për zbatimin e ligjit. Në ligjin për dhunën në familje është paraparë që viktima të qëndroj në shtëpi dhe dhunuesi të largohet nga shtëpia, mirëpo në realitet personi që largohet nga shtëpia është viktima”, u shpreh Qelaj.

Përndryshe, vetëm në vitin 2018 mbi 400 gra me fëmijë gjetën strehim në njërën nga shtatë strehimoret funksionale për viktimat e dhunës në familje në Kosovë.

Mbi 1,100 raste të dhunës në familje duke përfshirë shtatë persona që pësuan vdekje janë raportuar nga Policia e Kosovës në periudhën janar-shtator 2019, rritje kjo prej më shumë se 13% nga një vit më parë, shkruan Ekonomia Online.

Continue Reading