Sot mbushen 22 vjet nga rënia e Heronjve të Kosovës Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Ata ranë heroikisht më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë, në një pritë të organizuar nga forcat serbe.

Zahir Pajaziti ishte organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Llapit.

Ai ishte komandanti i parë i Zonës Operative të Llapit dhe njëri ndër organizatorët më të mëdhenj të luftës në Kosovë.

31 janari shënohet si një datë e sakrificës më sublime e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut.

Në fillim të viteve të ’90-ta ishte paraqitur nevoja e organizimeve të mirëfillta për rezistencë të armatosur në Kosovë. Këta djem të rinj erdhën në përfundimin se çlirimi i Kosovës duhet të vijë nga një forcë e armatosur. Zahiri dhe aktivistët e tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë. Si rezultat i kësaj pune, Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan. Vëllai i Zahirit, Ejupi, kujton kohën kur Zahiri kishte filluar të merrej më çështjet kombëtare.

“Ne veç e dinim situatën se ku jemi, pasi na okupoi Serbia. Por Zahiri na thoshte që do të dalim nga kjo krizë…”, tha Ejupi vëllau i Zahir Pajazitit.

Ndërkohë, shtëpia e Sabit Zejnullahut, babait të Hakifit, ishte  baza e parë e UÇK-së, në rajonin e Llapit. Vite më parë babai i Hakifit, pati treguar se si e ka zbuluar që në shtëpinë e tij grumbulloheshin armë. Ajo shtëpi që nga viti 1988 ishte bazë ushtarake ku u strehuan luftëtarët e çetës së Llapit.

“I gjithë grupi i Llapit ka ardhur në shtëpinë time. Një ditë duke nxjerr sanë me krrabë, më ra një automat, pushkë automatike dhe disa bomba…”, tha Sabit Zejnullahu.

Këtij grupi u ishte bashkuar edhe studenti i Juridikut, që ishte Edmond Hoxha nga Juniku. Motra e tij, Lumnije Hoxha Rama, e kujton kohën se si e kishte kuptuar që vëllai i saj Edi po merrej me veprimtari, të cilat ishin të rrezikshme.

“Ndoshta nuk është e rastësishme, që njeriu dhimbjet më të thella nuk mund t’i shkruaj kurrë ose i shkruan me vonesë. Në atë kohë unë isha në Prishtinë dhe Edin e takova ditën e mërkurë që e pashë me Zahir Pajazitin, por nuk më njoftoi me të. E shikova të shqetësuar dhe e pyeta pse është ashtu, ai me tha që a e din që janë burgosur….”, tha Lumnije Hoxha Rama.

Në janar të vitit 1997, grupi i Zahir Pajazitit zbulohet nga sigurimi serb. Më 31 janar Zahir Pajaziti ishte duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë së bashku me bashkëluftëtarin dhe nipin e tij Hakif Zejnullahu dhe bashkëluftëtarin tjetër Edmond Hoxha nga Juniku. Forcat serbe kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta. Për të përkujtuar këtë ditë, dje u mbajt një akademi përkujtimore në Junik, ku kryeministri Ramush Haradinaj, vlerësoi se kjo datë do të mbetet e pashlyeshme në histori si rezultat i flijimit, sakrificës më sublime, të Zahirit, Edmondit dhe Hakifit.