Connect with us

LAJME

25 vjet burg për Izet Godenin, 70 vjeçarin që më sëpatë vrau gruan e tij

Published

on

Me 25 vjet burg është dënuar Izet Godeni, 70 vjeç, i cili më sëpatë, vrau në gjumë, bashkëshorten e tij, Sadije Godeni, 63 vjeç.

Ky është verdikti që shqiptoi trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkatësisht, Departamenti për Krime të Rënda, për rastin e rëndë të ndodhur më  25 nëntor 2011.

Godeni u gjet fajtor për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Kryerjen e veprës së rëndë, e ka pranuar edhe vetë i akuzuari.

Gjykata sqaroi se më  30 maj 2023, ka mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale, në të cilin i akuzuari I.G (Izet Godeni v.j),  ka pranuar fajësinë.

Ndërsa me datë 31 maj 2023 gjykata ka shpallur aktgjykimin, e njëkohësisht i është vazhduar masa e paraburgimit.

Sipas gjykatës, i akuzuari me datë 25 nëntor 2022 rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Sadije Godeni.

Vrasjen ai e kishte kryer derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur. I akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera kishte ndërruar jetë.

Gjykata deklaron se kjo gjendje faktike është vërtetuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari dhe provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës, kurse kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas kryerjes së vrasjes,  70-vjeçari ishte vetëdorzua në polici, raporton RTKlive.

Rasti kishte tronditur banorët e lagjes “Tophane” ku jetonte çifti, të cilin e kishin përshkruar si të qetë e pa probleme.

E ndjera Sadije Godeni, për  28 vjet ishte mësimdhënëse në shkollën “Dardania” në Prishtinë. Kolegët e së ndjerës patën thënë një ditë më parë, kishin pasur bisedë të zakonshme me të, dhe  63-vjeçarja nuk kishte shfaqur  asnjë shenjë se diçka nuk ishte në rregull.

Continue Reading