Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar procedurën penale ndaj katër personave të kthyer nga Siria. Ndaj këtyre katër personave, të cilët kanë marrë pjesë në konfliktet në Siri, është marrë vendim për ndalim dhe pritet që procedura të vazhdojë brenda afateve ligjore.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se Prokuroria Speciale e Kosovës, vite më parë ka filluar hetimet ndaj katër personave të dyshuar për kryerje të veprës penale, pjesëmarrje në grupe të organizuara për kryerje të veprave penale terroriste, dhe pjesëmarrje në luftë jashtë territorit të Republikës së Kosovës, por që procedura penale ishte pezulluar meqë personat nuk kanë qenë të arritshëm për institucionet e Kosovës.
Lumezi, në një konferencë me gazetarë, tha se identiteti dhe të gjitha të dhënat e tjera personale të personave, dihen, por që njëherë nuk bëhen publike.
Në konferencën e Prokurorisë, u tha se personat e kthyer që dikush kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, mund ta marrin prapë atë nëse kërkojnë, përmes procedurave të rregullta dhe administrative.
Në orët e para të së shtunës, përmes aeroportit të Prishtinës, shteti i Kosovës ka arritur të kthejë 110 persona që po qëndronin në zonën e konfliktit në Siri, prej tyre 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë, ku këta të fundit janë ndaluar nga organet e sigurisë dhe drejtësisë, sipas procedurave të rregullta ligjore.