Connect with us

KOSOVË

Një pjesë e 2.1 milionshit të vjedhur nga thesari i Kosovës, tranferohet në Turqi

Published

on

Janë bërë plot një vjet që nga koha kur janë vjedhur 2.1 milion euro nga thesari i shtetit të Kosovës. Gjykimi për këtë çështje është duke vazhduar, ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismajli, ka thënë se në shkurt të vitit 2018 ishte njoftuar se në procesin e mbylljes së avancave për vitin 2017 ka pasur parregullsi nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, shkruan Media Ndertimi, percjell Teleskopi.

“Me këtë rast janë bërë verifikimet për të parë se çka ka ndodhur dhe pse ka ndodhur kjo dhe me t’u konstatuar që mbyllja e avancave nuk ka qenë në përputhje me ligjin, janë anuluar të gjitha ato transaksione duke e rikthyer gjendjen ashtu siç ka qenë deri më datën 15 janar”, tha ai.

Këtë deklarim, dëshmitari Ismajli e ka bërë në seancën e së mërkurës, në gjykim ku dy zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi- Ahmeti po akuzohen se kishin përvetësuar mbi 1 milion euro në emër të avancave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga ana tjetër, Ministri i Financave Hekuran Murati, është pyetur gjatë emisionit “Codex”, se sa është shuma e mjeteve që janë kthyer në buxhet, pasi që Qeveria Kurti pati premtuar se të gjitha parat e vjedhura nga kjo aferë do të kthehen në thesarin e shtetit.

“Deri më tani në Ministrinë e Financave nuk ka kthim të mjeteve financiare, megjithatë nga prokuroria e kemi informatën se ato mjete që janë gjet në sistemin financiar janë të ngrira. Nga thesari ka pas tërheqje me para të gatshme dhe një pjesë ka qenë e transferua në Turqi. Kurse nga prokuroria na është konfirmuar se mjetet e ngrira janë të sigurta veçse po presin verdiktin e Gjykimit dhe parat e vjedhura të rikthehen në buxhetin e shtetit”, deklaroi ministri Murati./Teleskopi.info