Kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj priti sot Ambasadorin hungarez, Sh.T. József Bencze dhe delegacionin e tij, ku diskutuan për çështje praktike, me theks të veçantë në zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit të bizneseve të të dyja vendeve, duke e rritur nivelin e importit dhe eksportit.
“Krijimi i urave për bashkëpunim ekonomik do të ndikojë në joshjen e investitorëve potencialë të huaj që do të përkthehej në zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës” – theksoi kryetari Totaj.
Me këtë rast, Ambasadori Bencze propozoi edhe binjakëzimin e Prizrenit me një qytet hungarez, duke i paraprirë me bashkëpunim konkret mes universiteteve të qyteteve tona, duke e rritur kështu numrin e studentëve që studiojnë në Hungari dhe shkëmbimit të tyre në përgjithësi.
“Kemi bashkëpunim të mirë me Komunën e Prizrenit, qytetin tim të preferuar, dhe duam te krijojmë një lidhje bashkëpunimi me bizneset e Prizrenit. Ne kemi hapur edhe konsullate ne Prizren dhe mendojmë qe ta thellojmë marrëdhënien në të gjitha fushat. 75 studentë të Kosovës studiojnë në Hungari, por, dëshirojmë ta rrisim këtë numër”, u shpreh Ambasadori Bencze.
Kryetari Shaqir Totaj falënderoi Ambasadorin József Bencze për këtë iniciativë, ndërsa, premtoi se do të krijohet klima e duhur për takimin e biznesmenëve tanë me organet hungareze të biznesit.