Prokuroria Themelore në Gjilan në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë ndaluar 4 persona. Ata janë të dyshuarit V.S., L.N., L.M. dhe A.A, pasi dyshohet se janë përfshirë në shitblerje të substancave narkotike.
Prokuroria njofton se ekziston dyshimi i bazuar se në Gjilan, të dyshuarit, në bashkëpunim dhe me qëllim të përfitimit material, kanë organizuar shitblerjen e substancave narkotike të llojit kokainë dhe heroinë.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në 4 lokacione të ndryshme, janë sekuestruar, 1,549.2 kg heroinë, 54.7 gr kokainë, 2.010 euro para të gatshme,1 armë e shkurtë Zoroki dhe 1 karikator me 15 fishekë, 1 telefon mobil Samsung, 3 peshore elektronike dhe 1 automjet BMW.
“Të dyshuarit me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, deklaron prokuroria.
Prokurori i rastit, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.