Policia ka arrestuar një person të moshës madhore në Prizren, pasi që i njëjti dyshohet se ka kërcënuar e kanosur viktimën, femër, dhe se të njëjtën e ka ngacmuar seksualisht. Sipas policisë, i dyshuari që kërcënonte se do të publikonte disa materiale për viktimën, kërkonte 11000 euro për mos ta bërë këtë. Pas intervenimit të policisë është arrestuar i dyshuari, derisa është kuptuar që ai ishte i moshës së vjetër dhe se ishte në lidhje krushqie me viktimën.
Ky është njoftimi i plotë i policisë:
“Me datën 15 nëntor 2017, viktima femër nga Gryka e Lumëbardhit, përmes adresës elektronike, ka raportuar një rast në polici i cili përmbante elemente të shantazhit, ngacmimit dhe kanosjes përmes letrave të shkruara me dorë e herë me kompjuter, në gjuhën boshnjake, të dërguara me postë e më pas edhe përmes SMS-ve përmes numrit të telefonit të një personi të panjohur. I dyshuari kërkonte nga viktima 11000 euro, në të kundërtën kërcënonte se do t’i bënte publike disa materiale që do ta komprometonin viktimën. Pas një pune të gjatë hetimore, në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit, gjykatën themelore, dhe operatorët telefonik, hetuesit policorë kishin arritur që t’i binin në fije krejt këtij lëmshi i cili ishte nisur nga një i dyshuar i moshës së vjetër dhe që rezultoi se ishte në lidhje krushqie me viktimën. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Ndërkaq, kallëzimi penal dhe provat materiale do t’i kalojnë prokurorisë së shtetit për procedura të më tejme”.