Deri më sot ndërmarrja “Trepça” nuk ka pasur auditim të jashtëm dhe kjo ka bërë që të mos dihen shumat e sakta të detyrimeve të kësaj ndërmarrje e cila ndodhet në kalimin e tranzicionit nga ndërmarrje shoqërore në shoqëri aksionare.

Kryeauditori Besnik Osmani ka bërë me dije se kanë marrë një kërkesë për auditim të kësaj ndërmarrje nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, por nuk ka ndonjë datë të saktë se kur pritet të fillojë ky auditim. Njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Mustafa, ka theksuar se ky auditim mund të marrë kohë dy apo tre muaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, më 12 janar të këtij viti, ditën kur edhe u pajtua me këshillin grevist dhe Sindikatën e Punëtorëve të “Trepçës” që të ndërpritet greva e punëtorëve, ka bërë me dije se ka kërkuar nga Zyra Kombëtare e Auditmit që ta bëjë auditimin e kësaj ndërmarrje.

“Kam dërguar kërkesë për auditim të detajuar të kësaj ndërmarrje tek Auditori i Përgjithshëm në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë të kësaj ndërmarrje”, kishte deklaruar ministri Lluka.

Ndërkaq auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ka pranuar kërkesën e ministrit Lluka. Ai ka thënë se kjo kërkesë është duke u trajtuar në kuadër të kompetencave ligjore. “Auditori i Përgjithshëm ka pranuar kërkesën nga ministri Lluka për auditimin e ndërmarrjes ‘Trepça’. Ne jemi duke e trajtuar kërkesën nga kuadri i kompetencës ligjore dhe kapaciteteve në dispozicion dhe për këtë duhet një kohë e arsyeshme”, ka thënë Osmani, i cili nuk ka treguar ndonjë datë konkrete se kur pritet të fillojë auditimi. “Në këtë moment nuk mund të komentojmë më shumë në lidhje me këtë çështje”, është shprehur Osmani.

Lidhur me këtë çështje, kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, ka thënë se auditimi i kësaj ndërmarrje ishte kërkesë e kamotshme e bordit. “Nga deklarata publike që ka bërë ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Valdrin Lluka, kemi kuptuar se i është drejtuar auditorit gjeneral. Realisht kjo ka qenë temë diskutimi disa herë kur jemi takuar me ministrin, pra ishte edhe kërkesë e jona si bord. Ne para disa kohësh kemi takuar auditorin gjeneral dhe e kemi ftuar edhe nga komiteti i auditimit që të vijnë në ndërmarrje ta bëjnë auditimin, pastaj kishte mbetur që ministri t’u drejtohej me një shkresë. Bazuar në këtë, mund të themi se kërkesa e ministrit Lluka është veprim për t’u përshëndetur. Në fazën në të cilën gjendet ndërmarrja, atë të transformimit nga ndërmarrje shoqërore në shoqëri aksionare, na duhet patjetër një pasqyrë e saktë e të gjitha borxheve dhe detyrimeve. Pra, na duhet një pasqyrë e saktë para se të regjistrohet ndërmarrja në shoqëri aksionare, gjë që pritet të ndodhë shumë shpejt pas miratimit të draftstatutit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Syla ka shtuar se me këtë auditim do të kenë një pasqyrë të të gjitha aktiviteteve të ndërmarrjes qoftë financiare apo operative.

I pyetur se nëse kishte auditim të brendshëm në këtë ndërmarrje ashtu siç e parasheh Ligji për Ndërmarrjet Publike, Syla ka theksuar se ekziston zyra për auditim të brendshëm në ndërmarrjen “Trepça” dhe menjëherë pas regjistrimit të ndërmarrjes pritet të zgjedhën edhe organet menaxhuese.

“Pra, do të zgjedhen edhe zyrtarët e lartë që i parasheh Ligji për ndërmarrjet publike dhe në kuadër të këtyre zyrtarëve është edhe zyrtari për auditmin e brendshëm që i përgjigjet komitetit të audimit dhe komiteti i auditimit është pjesë e bordit. Pastaj kur të zgjedhet zyrtari kryesor i auditimit, formohet edhe zyra e auditimit të brendshëm në kuadër të standardeve dhe normave që kërkohet me Ligjin për Ndërmarrjet Publike”, ka bërë me dije Syla. Sa i përket kohës potenciale të auditimit, ai ka thënë se nga paslufta nuk është bërë auditim i jashtëm i kësaj ndërmarrje.

Ai ka kërkuar që auditimi të fillojë sa më parë. “Po e përsëris sërish se disa herë kemi pasur takime dhe në cilësinë e kryesuesi të bordit kam kërkuar që sa më parë të fillojë auditimi në ndërmarrjen ‘Trepça’ pasi nuk është bërë asnjëherë deri më tani një auditim nga auditori gjeneral dhe është e domosdoshëm që auditori gjeneral të përfshihet në auditimin e ndërmarrjes. Aktualisht nuk kemi informacione se sa do të zgjasë dhe kur do të fillojë auditimi për shkak se kjo varet nga kapacitetet dhe mundësitë e ZAP-it. Pasi statuti është në prag të kalimit do të ishte e udhës që sa më parë të fillojë auditimi në mënyrë që ta kemi vijën ndarëse apo prerjen e saktë si në aspektin financiar, po ashtu edhe në atë operativ”, ka thënë Syla.

Njohësi i çështjeve ekonomike, i cili në mandatin e kaluar ishte kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se auditimi i kësaj ndërmarrje është më se i domosdoshëm edhe pse, sipas tij, është hap i vonuar.

“Auditimi është më se i domosdoshëm, pasi duhet të konstatohen se apo çfarë shume duhet të jenë aksionet, edhe pse është dashur të bëhet moti auditivi, në mënyrë që të konsolidohet gjendja financiare dhe ta dimë saktë, pastaj të shkojmë përpara”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se kjo çështje duhet të ecë shumë shpejt pasi ka vonesa shumë të mëdha.

“Që nga miratimi i ligjit kanë kaluar dy vjet e gjysmë. Moszbatimi i ligjit ka pasur pasoja të rënda. Me këtë ligj ‘Trepça’ bëhet një korporatë moderne, por ky ligj duhet të zbatohet dhe të eliminohen vështirësitë. Auditimi mund të marrë kohë dy apo tre muaj. Në këtë kuadër duhet të kryhen edhe punët e tjera”, ka thënë Mustafa.(Epokaere).