Connect with us

KOSOVË

Borxhi që Presidenti Thaçi i ka Geoffrey Nice-it?!

Published

on

Ministrisë së Punëve të Jashtme i ka mbetur barra për ta paguar borxhin prej gjysmë milioni ndaj Geoffrey Nice, i cili i kishte kryer shërbime të konsulencës Presidentit Hashim Thaçi si dhe kishte ndihmuar në librin biografik të tij. Gazeta Express mëson se borxhi akoma nuk është paguar por MPJ po e shqyrton këtë, ndërsa avokati Nice pasi kishte dashur të rrëfehej për bashkëpunimin me Thaçin, i kishte rënë pishman.

Pasi kishte kryer punë në Hagë në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit ku ishte prokuror, avokati britanik, Geoffrey Nice, kishte shkruar një artikull ku kishte hedhur poshtë shumë prej akuzave që i bënte senatori Dick Marty në raportin e tij prijësve të UCK’së.

Pas kësaj, ai ishte ftuar nga ish-zv.ministri i Jashtëm, Petrit Selimi i kishte kërkuar të punonte për qeverinë e Kosovës, më saktësisht për Hashim Thaçin, atëherë kryeministër. Mirëpo doli që Nice’it dhe koleges së tij, Nevonka Tromp, Thaci u ka mbetur borxh rreth gjysmë milionë euro. Avokati i kishte shkruar stafit të kryeministrit Haradinaj për për t’ia paguar ato.

Qeveria e Kosovës thotë se borxhi ndaj avokatëve Geoffrey Nice dhe Nevonka Tromp, të cilit kishin qenë të angazhuar nga Presidenti Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër është çështje e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në MPJ thonë se janë duke u angazhuar për këtë borxh sepse u takon atyre përderisa kontrata është bërë nga kjo Ministri, pa marrë parasysh se në cilin mandat është nënshkruar.

Gazeta Express dy javë më parë kishte publikuar letrat që avokati britanik Nice i kishte dërguar Qeverisë dhe Presidencës ku kishte shprehur shqetësimin se Presidenti Thaçi nuk i kishte paguar atij dhe koleges së tij rreth 500 mijë euro.

Thaçi atë e kishte angazhuar për fjalime të tij, për t’i aranzhuar intervista jashtë vendit, si dhe pjesë e kësaj marrëveshje kishte qenë edhe asistimin në librin biografik që Thaci thotë të mos ketë qenë i porositur.

Pas publikimit të letrave, Gazeta Express kishte kontaktuar avokatin britanik me 11 mars për ta pyetur më gjerësisht rreth bashkëpunimit të tij me Thacin.

Edhe pse në letrat dërguar institucioneve kosovare, Nice i kishte kërcënuar që nëse nuk i bëhen pagesat dhe nëse vazhdon të injorohet, ai do t’i bëjë publike borxhet që i ka Presidenti, tash Nice s’është i gatshëm të flasë.

Fillimisht ai kishte thënë se do të mund të fliste për Express në fund të asaj jave, më pas shkroi se nuk ishte i gatshëm të deklarohej.

Në të njëjtën javë Thaçi kishte qëndruar në Londër për promovimin e librit të tij biografik, ku kontribut kishte dhenë edhe avokati Nice.

Nuk dihet nëse ata kanë pasur takim, megjithatë Gazeta Express merr vesh se avokatit nuk i janë bërë akoma pagesat.

Kryetarja e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, ka thënë për Gazetën Express se nuk kanë informata nëse MPJ i ka paguar borxhin avokatit britanik, por ajo thotë se së shpejti do t’i kërkojë raportim ministrit Behgjet Pacolli rreth pagesave.

“Ne raportimin e radhës do të kërkojmë informatë nga Ministri i Punëve të Jashtme lidhur me të gjitha pagesat që janë bërë kinse për lobim por qe ne fakt ne shume raste kane shërbyer për promovim personal te politikaneve te caktuar.

Osmani thotë se kontrata që është bërë mes qeverisë dhe avokatëve, ka shërbyer vetëm për agjendën personale të Thaçit si kryeministër.

“Në vend se të avansohet agjenda shtetërore e Kosovës është punuar për agjenda personale”, është shprehur ajo.

Rreth kësaj çështjeje po ashtu në Kuvend është kërkuar një komision hetimor që do të merrej me kontratat, të cilat LDK i konsideron se i kanë shërbyer personalisht Thacit edhe pse janë nënshkruar nga shteti. /GazetaExpress/

 

Continue Reading