Connect with us

LAJME

Dema uron studentët e UP-së për përfaqësim në `Willem C. Vis Moot`

Published

on

Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” triumfuan në garën për të drejtën ndërkombëtare komerciale dhe të drejtën e arbitrazhit “Willem C. Vis Moot”, e cila po mbahet në Vjenë, Austri.

Studentët tanë rangun UP-në në mesin 64 universiteteve më të mira, duke lënë mbrapa mbi 320 universitete botërore, përfshirë këtu edhe universitetet prestigjioze si: Yale, Harvard, Sydney, e të tjera.

Ekipi triumfues në garën e njohur si “Olimpiada e Drejtësisë” ishte i përbërë nga gjashtë studentë: Levik Rashiti, Vlera Rexha, Yll Sadiku, Gerta Ragipi, Zgjim Mikullovci, Donika Bunjaku dhe dy profesoreshat trajnere, Dr. Sc. Vjosa Osmani dhe Mr. Sc. Donikë Qerimi.

Studentët thonë se ndjehen krenarë për suksesin e arritur. “Është në fakt një sukses që na bën të ndihemi krenarë, sepse kemi përfaqësuar UP-në e Kosovën në këtë garë kaq të madhe, është thirrur emri i universitetit tonë në mesin e 3000 të pranishmëve, përfshirë studentë, profesorë, juristë e autorë të njohur ndërkombëtarisht”, u shprehën ata.

E për përfaqësimin dinjitoz të UP-së, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, i uroi studentët dhe profesorët për suksesin e treguar në këtë garë. Ai tha që për të, si rektor, nuk ka sukses me të madh sesa vetë suksesi i studentëve të tij.

“Kjo arritje e tyre tregon për kapacitetin që kanë studentët e këtij universiteti, si dhe vë në pah vullnetin dhe dëshirën për sukses që ushqejnë këta të rinj. Suksesi i studentëve tanë është sukses i universitetit dhe i kësaj shoqërie”, shprehet Dema.

Ndërkaq, profesoresha Vjosa Osmani, njëherësh trajnere e studentëve në këtë garë, u shpreh krenare për suksesin e studentëve të saj.

“Suksesi i tyre është dëshmia më e mirë se kur ka meritokraci Kosova mund të ketë sukses. Sepse shkaku i punës së tyre suksesi i Universitetit të Prishtinës u paraqit para tërë botës – para mijëra pjesëmarrësve nga e gjithë bota”, tha Osmani.

Kjo nuk është hera e parë që studentët e UP-së fitojnë në një garë të tillë. Sukses studentët tanë arritën edhe në vitin 2017.

Continue Reading