Connect with us

KOSOVË

Edi Rama thotë se sot do të takohet me Albin Kurtin

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se sot do ta ketë një takim me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin – që deri me rezultatet e tanishme zyrtare partia e tij është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Rama ka njoftuar për këtë takim mbrëmë në emisionin “Opinion” kur është pyetur nga gazetarja e Klan Kosovës Jehona Bajrami-Gashi se pse nuk ishte takuar me Albin Kurtin në Tiranë, kur ky i fundit ishte atje disa ditë më parë.

“Sa i përket Albin Kurtit, në dijeninë time, nesër unë e kam takimin me të. Zien kazani dhe del që Albin Kurti erdhi këtu ta festojë fitoren dhe nuk u takua me mua. Më ka kërkuar në mënyrë korrekte takim dhe e kemi caktuar takimin, në mos gabohem unë, nesër”.

“Nuk kam asnjë problem, përkundrazi mezi pres që ai ta marrë detyrën dhe ne të vazhdojmë punën”.

Por, Rama nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë takim, njofton Klan Kosova.

Kryeministri shqiptar ka treguar më shumë detaje lidhur me propozimin që ka thënë se do t’ia bëjë Albin Kurtit – nëse ky i fundit është kryeministër i Kosovës – që të dyja vendet të kenë një ministër shteti të dedikuar për bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri.

“Unë kam thënë që do t’i propozoj Albin Kurtit për të forcuar procesin e ndjekjes nga afër të të gjitha marrëveshjeve përmes një ministri shteti të dedikuar. Pra, ministër shteti nuk është ministri – është një ministër shteti pa portofol, por i dedikuar vetëm për një temë”.

“Duke pasë Kosova një ministër shteti për bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Shqipëria një ministër shteti për bashkëpunimin me Kosovën do të kemi një ministër me një staf të dedikuar vetëm për të ndjekur të gjitha marrëveshjet dhe proceset që vendosen ditë për ditë dhe jo që të jenë një nga temat, por të jenë tema e përditshme e punës”.

Ai duke folur për marrëveshjet e arritura deri tani mes Kosovës dhe Shqipërisë në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive ka thënë se ato nuk janë të dështura, por as të shkëlqyera.

“Nuk është e vërteta ose zi ose mahnitëse për mirë. As lidhur me marrëveshjet nuk është kështu – ose të shkëlqyera ose të dështuara. Nuk kanë qenë të dështuara dhe rezultatet nuk kanë qenë të shkëlqyera – ka marrëveshje që kanë ecur dhe ka të tjera që duhet të ecin më shumë”.

Continue Reading