Emisari special i SHJBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të mbajë, sot në orën 15:00, një konferencë për media, për ngjarjen e fundit në Kosovë dhe Serbi, ku tre pjesëtarë të policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, e Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë për rtk-në se nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen, por se është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen që ndodhi në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
SHBA-ja ka kërkuar të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.