Në muajin dhjetor të këtij viti pritet të nisin punimet për një ndër projektet më të rëndësishme në komunën e Suharekës.
Kjo pasi sot Valon Vataj, përfaqësues i Fondacionit “Valon Vataj” dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, nënshkruan memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e një Qendre rekreative për fëmijët me Sindromin “Down” dhe me autizëm.
Kjo qendër rekreative pritet të jetë ndër më inovativet në rajon me synim krijimin e kushteve sa më të mira për fëmijët me nevoja të veçanta, për mundësive për integrim në shoqëri.
Përfaqësuesi i Fondacionit, Valon Vata, tha se prej kohësh e ka ndjerë nevojën për t’u dalë në ndihmë fëmijëve me nevoja të veçanta, pasi sipas tij kjo shtresë e shoqërisë ka nevojë për krijim të barabartë të mundësive dhe përkrahjen e të gjithëve.
Ndërsa Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, tha se ndërtimi i qendrës rekreative për fëmijët me nevoja të veçanta është një projekt shumë i nevojshëm për Suharekën, dhe u shpreh krenar me djemtë e kësaj komune, siç është Valoni, të cilët pa marrë parasysh se ku veprojnë, gjithmonë i dalin në ndihmë njerëzve në nevojë të kësaj komune.
Ndërtimi i kësaj qendre pritet të fillojë më 3 dhjetor dhe ka një kosto prej 500 mijë euro./Teleskopi.info