Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka folur për arrestimet e mundshme nga Gjykata Speciale duke thënë se nuk ka informacione të tilla.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë shtoi se për këtë çështje duhet pyetur ata të cilët e kanë votuar Ligjin për Gjykatën Speciale.

Ndërsa, për ndarjen e mijëra nga Qeveria për disa të ftuarit ose të intervistuarit nga Gjykata Speciale, Haradinaj, vlerësoi se Qeveria vetëm zbaton vendimet e Kuvendit.

Sa i përket mos zbatimit të afateve ligjore për procedimin e projektbuxhetit të vitit 2020, Haradinaj theksoi se nuk kanë mundur ta aprovojnë buxhetin në mungesë të Kuvendit.

Haradinaj ka komentuar takimet me zëvendës ndihmësin e sekretarit të Shtetit, njëherësh emisar për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, për të cilin tha se me Amerikën komunikimi është i vazhdueshëm, andaj sipas tij, nuk ka ndryshim qëndrimesh.

Ai në fund tha se shpreson që institucionet e drejtësisë do ta zbardhin në tërësi fatin e Astrit Deharit.

Haradinaj tha se ndihet mirë që kjo qeveri nën udhëheqjen e tij, ka realizuar kërkesën e familjes Dehari për ekspertizë jashtë vendit dhe beson që e vërteta do të dalë në dritë dhe institucionet e drejtësisë do ta zbardhin rastin në tërësi.