Pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, nga e cila mori raportin e progresit për Kosovën, kreu i Qeverisës ë vendit e quajti këtë dokument  si një pasqyrim i përzier i të gjeturave mbi ngecjet dhe përparimin e bërë brenda një viti.

Ndërsa, Apostolova në fjalën e saj tha se raporti i progresit rikonfirmon perspektivën  e evropiane të gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën dhe njëherësh tregon problemet në rajon, i cili një ditë pritet të jetë pjesë e BE-së.

I pyetur rreth heqjes eventuale të taksës ndaj produkteve serbe, Haradinaj këmbënguli edhe një herë në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Sa i përket numrit të zëvendësministrave aktualë, e cila përmendet në raportin e Progresit, Haradinaj tha se kjo është diskutuar në ligjin për qeverinë, i cili do ta zgjidhë këtë problem për të gjitha qeveritë e ardhshme.

Haradinaj në këtë konferencë nuk ka dashur t’iu mbesë borxh gazetarëve në lidhje me një pyetje që kishte pasur gjatë ditës nga gazetarët, e për të cilën tha se e zunë në pozitë të keqe, kur e pyetën se ku ndodhet pika kufitare me Malin e Zi.