Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, është duke i harxhuar pakursim paratë e taksapaguesve kosovarë. Përveç mjeteve buxhetore, të cilat janë paraparë për menaxhim nga qeveria gjatë këtij viti, zyrtarër qeveritar kanë filluar harxhimin e parave që janë destinuar për rezerva shtetërore.
Tashmë dihet që nga 4 milionë e 800 mijë euro (4,800,000 euro) sa ishin paraparë të jetë shuma e rezervave shtetërore për këtë vit – për vetëm tre muaj, tashmë janë shpenzuar mbi dy milionë euro.
I shqetësuar me numrin e madh të parave nga rezervat shtetërore që tashmë janë shpenzuar, është shprehur edhe ministri i Financave, Bedri Hamza. Ditë më parë, Hamza kishte thënë se rezervat shtetërore po shkojnë drejt fundit.
”E para për të gjitha ngjarjet që do të ndodhin i lus të gjithë ministrat që t’i planifikojnë dhe t’i vendosin me kohë në buxhetin e ministrisë së tyre. E dyta nga çdo njëri prej neve që ka nevojë për rezerva të respektohet afati dhe e treta duhet me pas kujdes për kërkesat e ardhshme për shkak se gjendja e rezervës është duke shkuar nga fundi”, kishte thënë Hamza, raporton Insajderi.
Një kontribut të madh që buxheti i vendit të vijë në këtë gjendje, e ka dhënë edhe kryeministri Haradinaj, i cili “veç për qef“, kishte marrur një mori vendimesh që kishin prekur drejpërdrejt buxhetin e shtetit.
Në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar, ata kanë marrë vendim për ndarjen e 500 mijë eurove, për shënimit e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.
Para kësaj Haradinaj kishte vendosur t’i ndajë krye në vete 290 mijë euro për familjarët e të dënuarve në Rastin “Komunova” dhe i fali 60 milionë euro borxhe prodhuesve të ujit të cilët qe 18 vite mashtruan shtetin duke mos paguar asnjë cent për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujërave dhe shfrytëzim të inerteve. Kryeministri e pati arsyetuar këtë vendim duke e treguar se atij “veç ju ka tekë”. “Veç mu ka tekë me ja nisë prej qatyne, me bo ni shembull të mirë, janë prodhues të vendit, uji i Kosovës, punëtorët e Kosovës, për popull të Kosovës”, kishte thënë Haradinaj.
Madje, vendimi për ndarjen e 290 mijë eurove për familjarët e rastit “Kumanova“, kishte përplasur Haradinajn me vartësit e tij. Vet ai e kishte pranuar një gjë të tillë.
“E kom thirrë ministrin e Drejtësisë, a pe bon një propozim diqysh, tha po kqyri me vet qysh shkon, edhe i mëshova vet prej zyrës së kryeministrit, shpejt e shpejt”, kishte deklaruar Haradinaj.
Qeveria Haradinaj po ashtu shpenzon para edhe në pagat e kabinetit qeveritar, kabinet i cili tashmë kap numër mbi 500 personash, nga të cilët 70 janë zëvendësministra. Anipse Haradinaj kishte qenë kritik i zëshëm i qeverisë së kaluar për numrin e zëvendësministrave në Qeverinë që udhëhiqej nga Isa Mustafa ka më shumë zëvendësministra.
“Është shumë shqetësuese dhe e papranueshme që pas numrit rekord të Ministrive, Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë se një Zëvendësministër për Ministri. Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste”, thoshte Haradinaj në postimin e tij të bërë më 16 dhjetor, 2014.
Një vendim që kohë më parë ishte marrë nga kabineti Haradinaj, ka të bëjë edhe me mbulimin e shpenzimeve për familjarët që do të gjykohen nga Gjykata Speciale.
Sipas atij vendimi, qeveria e Kosovës do të heq shpenzimet për vizitat dhe akomodimet për të gjithë familjarët e atyre që do të gjykohen nga Gjykata Speciale. Por, implementimi i këtij vendimi nuk është marrur ende, përshkak se Gjykata Speciale, me seli në Hagë, ende nuk i ngritur aktakuzat e para. Por, ky vendim do të hyjë në fuqi në momentin kur kjo gjykatë do nisë me arrestimet e disa anëtarëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, që do gjykohen për krime lufte./Insajderi.com/