Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e LDK’së për kufijtë. Hoti i ka reaguar kandidatit për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinajt, duke thënë se zgjedhjet e 6 tetorit janë referendum për ndaljen e shpërdorimit të shtetit e të buxhetit dhe heqjen e izolimit të Kosovës, e jo për kufijtë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka thënë se kufijtë e Kosovës kanë qenë gjithmonë të pa prekshëm, derisa ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët do të ndodhë krahas fuqizimit të brendshëm të shtetit tonë dhe avancimit të integrimeve euro-atlantike.

Postimi i plotë:

Zgjedhjet e 6 tetorit janë referendum për ndaljen e shpërdorimit të shtetit e të buxhetit dhe për heqjen e izolimit të Kosovës, e jo për kufijtë e Kosovës, siç po mundohen të dramatizojnë disa akterë politik që nuk janë në garë për fitore.
Kufijtë e Kosovës kanë qenë gjithmonë të pa prekshëm.
Ne kemi BESUAR tash e 30 vite, dhe BESOJMË fuqishëm, në shtetin e Kosovës, si realitet i përjetshëm, pavarësisht vështirësive për të normalizuar marrëdhëniet me fqinjët tanë.
Normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët do të ndodhë krahas fuqizimit të brendshëm të shtetit tonë dhe avancimit të integrimeve euro-atlantike.