Connect with us

LAJME

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron vërshime

Published

on

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime në disa zona të vendit, pas reshjeve të mëdha të shiut.

Besim Aliu, nga Institut Hidrometeorologjik i Kosovës, në një përgjigje për Radio Kosovën thotë se reshjet do të jenë të dendura të cilat do ta përfshijnë pothuajse të gjithë territorin, por që intensiteti i tyre nuk do të jetë i njëjtë.

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin ditëve të fundit, kanë bërë që shuma komuna të përballen me vërshime e dëme përcjellëse.  Duke folur për Radio Kosovën Besim Aliu, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, thotë se që nga sot vendi do të ndikohet nga fushat e ajrit me presion të ulët atmosferik, një mot jo stabil dhe vranësira që do të përcillen me reshje shiu.

Aliu thotë se në disa zona mund të ketë edhe reshje të breshrit por sipërfaqet e përfshira do të jenë të vogla, derisa thekson se nga sektori i hidrologjisë kanë paralajmëruar se do të ketë vërshime, apo reshje të dendura të cilat do ta përfshijnë pothuajse të gjithë territorin, por që intensiteti i tyre nuk do të jetë i njëjtë në të gjithë territorin.

“Intensiteti i tyre mund të jetë më i madh në pjesën veriperëndimore, juglindore dhe pjesën qendrore të Kosovës. Situata do të vazhdojë të jetë e ngjashme deri me 18 apo 19 qershor, derisa pas kësaj date do të kemi më shumë kthjellime, me temperatura deri në 29-30 gradë celsius, reshjet do të dobësohen dhe do të kthehet moti tipik veror me të gjitha elementet dhe dukuritë që shfaqen”, ka thënë Aliu.

 Ndërkohë, Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, në një postim në Facebook, ka theksuar se vërshimet e shpejta përfshijnë territore të caktuara dhe kalojnë shpejt dhe kryesisht ato ndodhin në lumenjtë ose përroskat e vogla malore, por që mund të shkaktojnë dëme në toka bujqësore dhe në ekonomi familjare e biznesore.

“Qytetarët duhet të jenë të informuar për mundësinë e këtyre vërshimeve, në mënyrë që të jenë të përgatitur dhe sadopak të mundohen të minimizojnë dëmet e mundshme, ndërsa institucionet përgjegjëse në Kosovë, si ato qendrore ashtu edhe ato lokale, varësisht prej përgjegjësive që kanë, duhet të ngrisin kapacitet e tyre, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, në rast të përmbytjeve të mundshme”, ka shkruar Ahmeti.

Rreshjet e fundit të shiut, kanë krijuar vërshime të mëdha në fshatra të disa komunave, si Skenderajt, Drenasit, Mitrovicës, Prishtinës e komuna të tjera./rtk