Connect with us

LAJME

Isa Mustafa ‘u jep mësim’ PDK-së, AAK-së dhe Vetëvendosjes

Published

on

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot ka marrë pjesë në tubimin me qytetarë që kandidatja për kryeministre e kësaj partie Vjosa Osmani e ka mbajtur në qytetin e Pejës.

Mustafa e ka nisur fjalimin e tij i bindur se LDK-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Vjosa është kandidatja jonë që e ka përkrahjen e plotë të LDK-së. Por, jam i bindur që Vjosa nuk është vetëm kandidate e LDK-së sepse Vjosa është kandidate e Kosovës sepse do të jetë kryeministre e Kosovës”.

“LDK do të fitojë dhe duhet të fitojë në këto zgjedhje sepse nuk ka shpëtim për Kosovën nëse nuk bëhen ndryshime në Kosovë dhe nëse nuk i jepet besimi LDK-së”.

Mustafa ka thënë se votat që shkojnë për partitë e tjera janë të humbura sepse nuk i bëjnë mirë Kosovës, derisa ka shtuar se Kosovën e shpëton vetëm LDK-ja.

“Unë sot nuk dëshiroj të vlerësoj votat që eventualisht do t’ju shkojnë subjekteve të tjera, por konsideroj se ai do të jetë vullnet i humbur dhe votë e humbur sepse nuk do t’i bëjë mirë Kosovës”.

“Kosovës do t’i bëjë mirë një votë për një parti që e shpëton Kosovën dhe ju siguroj që kjo parti është LDK-ja”.

Mustafa nga Peja ka thumbuar partitë e tjera politike -PDK-në, AAK-në dhe Vetëvendosjen.

“Ne nuk jemi në armiqësi me subjektet e tjera politike, por jemi në miqësi me Kosovën dhe ne ja duam të mirën Kosovës”.

“E mira e Kosovës është që PDK-ja të shkojë në opozitë sepse kjo i bën mirë edhe Kosovës edhe PDK-së sepse kanë nevojë me ardhë në vete, të qëndrojnë në opozitë, të reflektojnë dhe të shohin se ku kanë gabuar gjatë këtyre viteve”.

“Kosovës i bën mirë që edhe AAK-ja ta marrë vesh që nuk është 100 % Kosovë nëse nuk do ta kemi 100 % përkrahjen e SHBA-ve dhe BE-së. Nuk është 100 % Kosovë nëse ne buxhetin e shtetit e përdorim si kuletë private”.

“Do ta marrin vlerësimin dhe votën që ju takon, por jo votën me të cilën duan ta marrin besimin e madh të qytetarëve të Kosovës”.

“Edhe Vetëvendosja duhet ta marrë vesh që nuk e ka vendin afër LDK-së. Ata janë në skenën politike, por janë larg prapa LDK-së dhe vetëm me LDK-në mund të mësojnë se si qeveriset mirë, drejtë dhe si mbahet partneriteti me Amerikën dhe BE-në”.

“Të tjerët, sigurisht, se do ta marrin atë votë qe e meritojnë në skenën politike të Kosovës”.

I pari i LDK-së, në fund, ka kërkuar besimin e qytetarëve për partinë që ai udhëheq dhe kandidaten për kryeministre Vjosa Osmani.

“Unë sot jam këtu, para jush, ta kërkoj votën për LDK-në dhe besimin për kryeministren Vjosa Osmani sepse vlerësoj se është një grua që ka dije dhe ka guxim të marrë vendime të rëndësishme për Kosovën – jo ato vendime për të cilat po flasin tjerët, por për vendime të vërteta shtetërore”.

“Vetëm LDK-ja me Vjosën mund t’i marrë këto vendime që i nevojiten Kosovës. Vjosa Osmani e ka përkrahjen e plotë të LDK-së që t’i çojë përpara proceset për të cilat ka nevojë Kosova – zhvillimi ekonomik, partneriteti me SHBA-të dhe BE-në, lufta kundër krimit dhe korrupsionit sepse Vjosa mund ta zhvillojë këtë luftë dhe jo ata që janë të zhytur deri në fyt me krim dhe korrupsion”.

“Ju ftoj që të realizojmë një fitore të madhe më 6 tetor. Kjo do të jetë fitore e Kosovës, është fitore e juve që përfaqësoni popullin tonë me shalla dhe plisa të bardhë që e ndiqni politikën e Ibrahim Rugovës”.

Continue Reading