Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur sot në takim njoftues Ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar (MB) James Heappey ku bashkëbiseduan rreth bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura të MB-së dhe FSK-së.
Përmes një njoftimi për media nga Forca e Segurisë së Kosovës, thuhet se Jashari e njoftoi dhe e falënderoi Ministrin Heappey për bashkëpunimin e ngushtë dhe rolin që luan kontributi i Mbretërisë së Bashkuar në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“FSK për shumë vite gëzon bashkëpunim të shkëlqyer me Mbretërinë e Bashkuar sidomos në fushën e ngritjes profesionale përmes trajnimeve dhe shkollimeve në Mbretëri të Bashkuar si dhe përmes ekipeve mobile në vend”, tha Jashari.
Tutje, Komandanti i FSK-së dhe Ministri Heappey diskutuan edhe për suksesin e fundit të përbashkët, ku, një kontingjent i FSK-së, bashke-zbarkoi me mision trajnues në ishujt Falklands me njësitë e Ushtrisë Britanike.
Në anën tjetër, Ministri Heappy, falënderoi Gjeneral Jasharin për pritjen dhe për bashkëpunim dhe konfirmoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për vazhdim dhe rritje të aktiviteteve të përbashkëta me Forcën e Sigurisë së Kosovës.