Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), kanë mbajtur tryezë diskutimi me temën “Rregullatorët e medieve dhe edukimi mbi medien dhe informacionin”.
Kjo ngjarje u organizua me qëllim të shënimit të Javës Globale për Edukimin mbi Medien dhe Informacionin, javë që shënohet çdo vit nga UNESCO, e që këtë vit Kosova është pjesë e kësaj jave përmes disa aktiviteteve të ndryshme.
Kryeshefi Ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Medieve, Luan Latifi, deklaroi se Java Globale e Edukimit Medial është një mundësi e mirë për të rishikuar përparimin e arritur në këtë fushë.
Siç tha ai, Edukimi Medial cilësohet si ombrellë në mbrojtje të shoqërisë civile.
Violeta Hyseni-Kelmendi, Nënkryetare e Komisionit të Pavarur të Medieve, theksoi se KPM-ja do të punojë intensivisht mbi mediën dhe informacionin.
Sipas saj, me ligjin e ri për të cilin KPM-ja është duke insistuar do të mbulojë dhe zbatoj të gjitha aktivitetet si dhe fushatat vetëdijesuar për shoqërinë.
“Me ligjin e ri për të cilin insistojmë të jemi institucion i pavarur për të zbatuar aktivitetet. Të bëjmë fushata vetëdijesuese në bashkëpunim me mediet. Të luftojmë lajmet e rreme, të rregullohet çështja e fëmijëve, komunikimet komerciale, gjuha seksiste të cilat mund të adresohen te ne, qytetarët në këtë mënyrë do të mund të vetëdijesohen, dhe të zgjedhin vet ata se cilës media t’i besoj. Sa më shumë që të rritet vetëdija e qytetarit për medien, edhe ne do të marrim sa më shumë ankesa për t’i evituar rastet dhe t’i monitorojmë ata”, tha ajo.
Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv INDEP, tha se duhet të ekzistojë një institucion, i cili duhet të monitorojë mediat. Sipas tij, duhet të bëhet publike lista e portaleve.
Remzije Shahni-Hoxhaj, nga Instituti i Medies, Departamenti i Gazetarisë-UP, tha se Edukimi Medial duhet të bëhet pjesë e kurrikulës shkollore.
Ndërsa, Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara, tha se qytetarët nuk kanë komoditet për të pranuar çfarëdo përmbajtje që i ofrohet, raporton Eo, transmeton Klan Kosova.
Siç tha ai, edukimi medial duhet të jetë lëndë mësimore në shkolla.
Kaltrina Hoxha nga OSBE, tha se edukimi medial duhet të mësohet si aftësi sikur të bazat e mirësjelljes në familje e pastaj në sistemin informues.