KFOR-i sqaron se nuk ishte në vendngjarje në ditën e djeshme, kur ka ndodhur arrestimi i tre policëve të Kosovës nga policia e Serbisë.
Përmes një njoftimi për media, KFOR-i bën të ditur se ka dërguar një ekip në vendngjarje dhe ka kontaktuar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, si dhe të autoriteteve të Serbisë.
Gjithashtu, KFOR njofton se ka kontakte të rregullta me Misionin e Rendit dhe Ligjit, EULEX.
“Ftojmë të dyja palët që të ulin tensionet dhe të tërhiqen nga aktet e njëanshme që çojnë në përshkallëzimin e situatës”, thuhet në deklaratën e KFOR-it .
Tutje, KFOR-i sqaron se monitoron situatën dhe vazhdon ta zbatojë në plotni mandatin e OKB-së, bazuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së përmes rezolutës 1244, të vitit 1999, në sigurimin e një mjedisi të qetë, të lëvizjes së lirë të të gjitha komunitetet në Kosovë , si dhe vazhdon të sigurojë veprimet e nevojshme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë të udhëhequr nga BE.