Koalicioni i ardhshëm sipas njohësve të çështjeve politike në vend, duhet të jetë i qëndrueshëm e jo i brishtë, në mënyrë që edhe proceset që pritet gjatë qeverisë së re, të kenë mbështetje absolute.

Sipas tyre, koalicioni i mundshëm pritet të jetë ndërmjet dy partive të para, VV dhe LDK-së , ku PDK-ja do të mbetet në opozitë.

Në bazë të rezultateve të deritanishme nga KQZ-ja, mandatari për krijimin e qeverisë është Lëvizja Vetëvendosje. Arton Demhasaj, njohës i çështjeve politike, i tha Radio Kosovës se dy partitë e para, përjashtojnë PDK-në në qeveri, andaj koalicioni i mundshëm është ndërmjet  Vetëvendosjes, Lidhjes Demokratike të Kosovës po edhe me AAK-në, pasi duhet të jetë një shumicë absolute:

“E dimë që në mes të mandatit qeveritar skadon edhe mandati i presidentit dhe duhet të kërkohet një shumicë e deputetëve për ta zgjedhur presidentin. Po ashtu edhe në rast se arrihet marrëveshja me Serbinë, po ashtu duhet 80 vota për miratim të marrëveshjes, atëherë për ta pasur një shumicë të konsoliduar mundet të jetë koalicioni VV me LDK, t’i bashkohet edhe AAK-ja, që të kenë një shumicë të konsoliduar në këtë qeveri. Pra, ky mund të jetë koalicioni që mund të ndodhë sidomos nëse Nisma nuk e kalon pragun”, ka thënë Demhasaj.

Demhasaj tha se nëse Nisma Socialdemokrate e kalon pragun, atëherë mund t’i bashkohet koalicionit VV-LDK, kurse AAK-ja të mbetet në opozitë me PDK-në.

Edhe Xhavit Shala, njohës i çështjeve kushtetuese, tha për Radio Kosovën se nëse Vetëvendosje certifikohet si parti fituese, atëherë me Kushtetutë i takon që ta fillojë konstituimin e institucioneve:

“Momentin që e merr këtë primat, është në dorën e Vetëvendosjes të kërkojë aleatë, t’i kërkojë numrat ose ta ndajë kulaçin e pushtetit me subjektet politike. Jo rastësisht është proklamuar që para zgjedhjeve ata e kanë preferuar LDK-në dhe LDK-ja e ka të preferuar si aleat në qeverisje Vetëvendosjen, por në rast se këto të dyja nuk arrijnë, atëherë ka alternativa të tjera, por rruga e parë i takon dy forcave që kanë dalë nga opozita”, ka thënë Shala.

E rëndësishme sipas Shalës, është krijimi i institucioneve stabile të qëndrueshme, duke theksuar mos përsëritjen e qeverisjes së kaluar, e cila ka pasur 61 vota.

“Kjo për shkakun se në vitin 2021 ne kemi zgjedhjen e presidentit dhe aty do të sfidohen se a do ta krijojnë shumicën e cilësuar apo dy të tretat për të filluar procedurën e zgjedhjes së presidentit apo do të shkojnë në zgjedhje. Duhet ta mendojnë edhe këtë se a do të krijojnë qeveri deri në 2021 apo qeveri deri në 2023, për katër vjet”, ka shtuar Shala.

Sidoqoftë, PDK-ja tashmë është deklaruar se do të mbetet në opozitë, përderisa Vetëvendosje është e hapur për koalicion me LDK-në.