Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.
E menjëherë pasi këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës e dha dritën jeshile për anëtarësim te Kosovës në këtë Këshill kanë reaguar krerët institucional.
Presidentja Vjosa Osmani, ka shkruar se së shpejti edhe flamuri i Kosovës do të valëvitet në Këshillin e Evropës, derisa i ka falënderuar te gjithë aleatët që sot votuan, të cilët sipas saj votuan jo vetëm për Kosovën, por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Ndërsa kryeministri Albi Kurti, ka shkruar se shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës, sepse sipas tij, Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, te drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit ne shtetin tonë.
Kurse për ministren e punëve te jashtme Donika Gërvalla, vendimi i sotëm është hap historik, sepse sipas saj me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë./rtk