Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca priti në takim Senatoren e Nju Jorkut, Nathalia Fernandez për të diskutuar rreth marrëdhënieve mes dy vendeve dhe thellimin e mëtejmë të raporteve.
“Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryetari Konjufca falënderoi Senatoren Fernandez për kontributin e pakrahasueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Shtetit të Nju Jorkut ndaj vendit tonë, si dhe për meritat e Senatit dhe Kongresit Amerikan në intensifikimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona”, thuhet në komunikatën për media të Kuvendit të Kosovës.
Në komunikatë thuhet se drejtuesi i Kuvendit ka shprehur mirënjohje për komunitetin shqiptaro – amerikan, si shprehëse të interesave të përbashkëta.
“Kreu i Kuvendit shprehu mirënjohje për punën e saj të jashtëzakonshme ndër vite me komunitetin e gjerë shqiptaro-amerikan në Nju Jork, komunitetin që, siç tha kryetari Konjufca, është simboli më i mirë i raporteve të ngushta historike mes popujve tanë, interesave dhe synimeve tona të përbashkëta”, njofton Kuvendi.