Connect with us

KOSOVË

Kosova s’është ajo që kanë ëndërruar studentët e ‘81-ës

Published

on

Protesta spontane e studentëve të Kosovës, të cilat u mbajtën në Prishtinë më 4 mars 1981 për kushte më të mira në mensën e studentëve në Prishtinë, e cila ishte shtypur me dhunë nga policia, shkaktoi demonstratën e organizuar të studentëve më 11 mars, e cila po ashtu shtypet me dhunë dhe paraburgosen disa studentë.

 

37 vite më parë u organizua demonstrata studentore, e cila ishte protesta e parë që u shtyp me dhune nga policia dhe ushtria jugosllave.

Një nga organizatorët e protestës së 11 marsit ishte Shemsi Syla, i cili thotë se viti 1981 është shpërthim, i cili shpërfaq të gjitha ato që ka vuajtur populli shqiptar.

E 37 vite pas ai thotë se Kosova nuk është ajo që ata në atë kohë kanë ëndërruar.

Syla përkujton 11 marsin e vitit 1981 duke thënë se kërkesë e tyre ishte një republikë siç e kishin vendet tjera.

Ai tha se përkundër dhunës që u është bërë, persekutimit një gjë e kanë arritur që ti tregojnë botës se shqiptarët janë faktorë, janë të shtypur dhe se duan liri.

Në mënyrë vullnetare në ato demonstrata kishte mjekuar studentët e plagosur Xhavit Bicaj, i cili thotë se ato demonstrata kanë qenë një rilindje kombëtare e shqiptarëve.

Bicaj për KosovaPress ka thënë se punëtorët shëndetësorë kanë qenë me shumicë shqiptare dhe se kanë qenë të organizuar mirë për t’iu dhënë ndihmën mjekësore studentëve.

Ndërsa Kosova e ditëve të sotme nuk është ajo që Bicaj e ka ëndërruar 37 vite me parë.

Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-RSFJ.

Kërkesa për krijimin e një republike të shqiptarëve në Jugosllavi, shtrohej si nevojë strategjike e kohës, për të ruajtur identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe për të krijuar parakushte për shkëputje nga Jugosllavia, që ishte bërë një burg i madh i popujve të Ballkanit.

Kryengritja gjithëpopullore e marsit dhe prillit e vitit 1981, shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar, pavarësisht se kjo ngjarje nuk e ka gjetur vendin e merituar në tekstet ende gjysmake të historisë sonë.

Prej asaj kohe kishte filluar ndarja e madhe dhe diferencimi historik i dy klasave shoqërore, kundërshtare.
Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit të vitit, shënuan fillin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia./KosovaPress/

Continue Reading