Connect with us

LAJME

Kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut: Duam të qeverisim lirshëm

Published

on

Përmes një deklarate të përbashkët për media, kryetarët e Komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, kanë shpjeguar situatën e sotme, në ditën e dytë të punës në këto poste.

Këta kryetarë të cilët janë nga radhët e PDK-së, kanë shpjeguar në këtë deklaratë takimin e sotëm që kishin me ambasadorin Amerikan, Jeffrey Hovenier, shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

“Bashkë kemi diskutuar për situatën në komunat e pjesës veriore të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit të cilat pasuan betimin tonë si Kryetarë të komunave përkatëse”, shpjegojnë kryetarët e këtyre dy komunave.

“Që nga dita kur i kemi shpallur kandidaturat për Kryetarë të komunave të Zveçanit dhe të Zubin Potokut, e deri sot, qëllimi dhe synimi ynë ka qenë i qartë: që t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve të komunave tona, pa asnjë dallim, drejtë dhe profesionalisht”.

Ata theksojnë se natyrisht, situata në të cilën ndodhen aktualisht, nuk i pëlqen askujt. “Prandaj, në këto momente, iu bëjmë thirrje të gjitha palëve për qetësi, sepse dhuna ka qenë dhe mbetet e patolerueshme në proceset demokratike”, shkruajnë Zeqiri e Peci.

“Personalisht, pasi që edhe jetojmë në Zveçan e Zubin Potok, e njohim situatën faktike ne terren dhe e dimë mundësinë reale për përshkallëzimin e gjendjes”, deklarojnë kryetarët e rinj të këtyre dy komunave.

“Kjo gjë nuk i shërben askujt, e më së paku qytetarëve, të cilët kanë nevojë për punë dhe progres në komunën tonë”.

Peci e Zeqiri deklarojnë se  duan dhe janë të gatshëm që këtë punë ta nisin menjëherë.

“Megjithatë, mundësia e eskalimit të situatës mbetet shqetësimi ynë i madh”.

Ata thonë se ushtrimi i detyrës së tyre si kryetarë do të duhej të bëhej normalisht, sikur i çdo kryetari tjetër komune, pa pasur nevojë për mbrojtje policore.

“Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta”.

Andaj, ata kërkojnë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna e tyre të ketë kuptim.

“Natyrisht, në arritjen e synimeve të përbashkëta, për punë, zhvillim e normalitet, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë hisedarëve relevantë, vendorë e ndërkombëtarë”./rtk

Continue Reading