Connect with us

KOSOVË

Kujtohet Fadil Vata- kush ishte heroi i Kosovës?

Published

on

Sot bëhen 28 vjet nga rënia heroike e dëshmorit Fadil Vata, veprimtar i çështjes kombëtare i viteve të 80-ta, i cili u vra nga pushtuesi më 1990.

Ai është njëri nga veprimtarët dhe udhëheqësit më të devotshëm të Lëvizjes kombëtare shqiptare të viteve të 80-ta, i cili vdiq në vitin 1990, si pasojë e dhunës dhe torturave çnjerëzore që u ushtrua ndaj tij nga kriminelët serbë.

Nezir Myrtaj një bashkëpunëtor i tij ka shkruar se pa ekzistencën e tij, do të ishte e vështirë liria e Kosovës.
Po të mos kishte Kosova bij si Fadil Vata, pa dyshim nuk do të mund të mbijetonte fryma e rezistencës sonë kombëtare; Pa luftëtarët e paepur si Fadil Vata, sigurisht nuk do të mund të formohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës; Pa trimat si Fadil Vata, Kosova nuk do të mund ta sfidonte pushtuesin shekullor serb e ta largonte atë që këtej; Pa bij të mençur, të vendosur e të sinqertë si Fadil Vata, Kosova nuk do të arrijë të ketë liri të plotë dhe as pavarësi normale e të pambikëqyrur; Pa idealistë si Fadil Vata, Kosova nuk do ta ketë të sigurt të ardhmen e saj”, ka shkruar Myrtaj.

E një bashkëpunëtor tjetër, Sabri Kiqmari ka publikuar më parë letrat kur kishin kuptuar për vdekjen e Vatës.

Bochum (RFGJ), 25 prill 1990
“Ka vdekur Fadili. Fadil Vata. Shoku im i dashur. Nuk mund ta besoj! Fadili është shumë i ri për të vdekur. Ai është shumë i nevojshëm për të vdekur. Ai është i pazëvendësueshëm për të vdekur. Nuk mund ta pranoj! Lëvizja nuk mund të mbetet pa njërin nga drejtuesit më të devotshëm të saj. Ne, shokët e tij, nuk mund të mbetemi pa fjalën e tij të peshuar. Populli nuk mund të mbetet pa birin e saj të denjë. Po! E vërteta e hidhur, në të shumtën e rasteve, është e vërtetë. Ka vdekur Fadili ynë, me të cilin bisedonim për këtë, ose atë detyrë, për këtë, ose atë aksion. Ka vdekur në moshën më të mirë: atëherë kur mund të jipte më së shumit për luftën për liri si udhëheqës dhe organizator.
Posa e marr këtë lajm të hidhur, vetvetiu më kujtohet takimi i parë me Fadilin. Pastaj mendja më shkon te Aliu, Afrimi, Fahriu dhe takimi i fundit me të, biseda e fundit telefonike. M’u kujtua ai Fadili i buzëqeshur, i veshur thjeshtë dhe pastër, me gazeta nën sjetull, tek vinte për t’u takuar në bazat tona të shumta: te xha Shabani në Mirofc, te xha Neza në Divjakë, te Kujtimi në Obiliq. M’u kujtua Fadili serioz në diskutime për çështje të rëndësishme të luftës. Serioziteti dhe këmbëngulja për të shpjeguar deri në fund, për t’i shkoqitur problemet. Durimi i pafund i tij.
Do të nisem patjetër për në Zvicër, do ta takoj për herë të fundit Fadilin…

Arau (Zvicër), Prill-Maj.1990
Kam ardhur nga Gjermania në Zvicër. Këtu mbahet e pamja për Fadilin. Kanë ardhur edhe prindërit e Fadilit. Janë njerëz të urtë dhe shumë të dashur. Gjenden në mesin tonë papritmas. Njihen me kaq shumë vetë, shokë të djalit.
Për më shumë se dhjetë ditë qëndrojmë me babën dhe nënën e Fadilit në Arau të Zvicrës bashkë me shumë aktivistë të Lëvizjes. Prindërit e Fadilit qëndrojnë të fortë, të papërkulur. Na habisin të gjithëve me qëndrimin e tyre! Presim mbi dhjetë ditë së bashku deri sa e përcjellim kufomën. Qeveria Jugosllave refuzon hyrjen e kufomës së Fadilit. Ia kanë frikën për së vdekuri. Kanë frikë nga idetë tona të drejta për Liri dhe Republikë. Beteja ligjore përfundoi me sukses. Jugosllavët u detyruan të pranojnë. Fadili do të varroset në vendlindje. E përcjellim kufomën deri në aeroport me dhembje të madhe. Ndarja me prindërit e Fadilit është papërshkrueshëm e rëndë”.

“.

Continue Reading