Connect with us

KOSOVË

Kurti: Bojkoti i zgjedhjeve ishte i imponuar nga kërcënimet e Beogradit

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale.

Ai gjithashtu ka falënderuar policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen.

Kurti përmes një statusi në facebook, shprehu keqardhjen e tij për atmosferën e frikësimit dhe shantazhit që ka ndikuar në daljen e qytetarëve në zgjedhje.

“Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri tutje uroi kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dhe i inkurajoi ata të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim.

“Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti./Teleskopi/