Kryeministri Albin Kurti, ishte folës kryesor në panelin e diskutimit me temë “Siguria kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi i radhës?”, në konferencën për Integritetin e Informacionit DISICON të organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar.
Kryeministri Kurti tha digjitalizimi dhe përparimet në teknologjinë e informacionit, po sjellin ndryshime transformuese në ekonomi dhe shoqëri.
Ato, tha më tej kryeministri, ofrojnë përfitime të shumta, duke fuqizuar qytetarët, bizneset dhe shoqërinë civile dhe se transformimi digjital i sektorëve qeveritarë çon në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, arsim të përmirësuar në të gjitha nivelet dhe kujdes shëndetësor më efikas.
Para të pranishmëve, kryeministri veçoi se duke ofruar qasje më të mirë në informacion dhe shërbime, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien, digjitalizimi kontribuon në një shoqëri më gjithëpërfshirëse, pjesëmarrëse, të fuqizuar dhe më demokratike.
‘’Duke pasur parasysh ndikimin transformues të digjitalizimit në sektorë të ndryshëm, ai mbetet një prioritet i lartë për qeverinë tonë”, tha ai.
“Ne kemi hartuar një udhërrëfyes strategjik për digjitalizimin, duke përfshirë Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit, Agjendën Digjitale, Strategjinë e Qeverisjes elektronike dhe Programin e Reduktimit të Barrës Administrative, si dhe shtyllën e Digjitalizimit të Strategjisë së Arsimit’’, u shpreh kryeministri Kurti.
Përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të shumta qeveritare, ai bëri të ditur se janë digjitalizuar shërbime të shumta, me mbi 130 shërbime elektronike të qasshme përmes e-Kosova.
“Ne kemi iniciuar një projekt pilot bazuar në qasjen e ngjarjeve të jetës, duke u fokusuar në ri-inxhinierimin e shërbimeve që lidhen me lindjen e një fëmije. Për më tepër, aktualisht është duke u zhvilluar zbatimi i identifikimit elektronik në nivel kombëtar”, tha ai.
Derisa foli për dezinformimin, tha se adresimi i rreziqeve dhe dezinformatave të sigurisë kibernetike kërkon bashkëpunim ndërmjet sektorit publik dhe privat, akademisë, komunitetit më të gjerë të sigurisë kibernetike në vendin tonë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me kombet mike.
Kryeministri shtoi se kjo konferencë, shërben si një platformë për të nxitur një bashkëpunim të tillë dhe për të ndërtuar ura midis palëve të interesuara.
Pas fjalës hyrës, ai zhvilloi një bashkëbisedim me ambasadoren Nancy Soderberg, njëherësh Drejtore e Lartë Rezidente e NDI në Kosovë, e cila po ashtu moderoi diskutimit si dhe iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të pjesëmarrësve./rtk