Pas lirimit të tre policëve të Kosovës nga Gjykata në Kralevë, ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili thotë se pavarësisht që ky është lajm i gëzuar, Serbia duhet të mbaj përgjegjësi për këtë agresion.
“Konfirmojmë se tre policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar kryeministri Kurti në rrjetin social Twitter.
Tre policët e Kosovës, u rrëmbyen nga forcat serbe me 14 qershor të këtij viti, në pjesën veriore të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka deklaruar se rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.
Kryeministri Kurti ka thënë pas rrëmbimit, se me këtë akt Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Kumanovës. Kujtojmë se Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi u paraqitën sot para gjykatës në Serbi, e cila vendosi për lirimin e tyre.