215 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar sot një marshim në jug të Mitrovicës.
Marshimi në Mitrovicë ka filluar nga kazerma “Minatori” deri në fshatin Frashër dhe është bërë kthimi sërish në kazermë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka sqaruar se ky marshim nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
Mehaj po ashtu ka thënë se marshime të tilla janë të rregullta dhe se ky ushtrim gjithashtu ka qenë në kuadër të planit vjetor.
Ai ka bërë apel tek të gjithë që aktiviteteve të tilla mos t’u jepet konotacion tjetër.
“Marshime të tilla janë të rregullta, ky ushtrim gjithashtu ka qenë në kuadër të planit vjetor dhe është realizuar sot, prandaj bëjmë apel tek të gjithë që aktiviteteve të tilla mos t’iu jipet konotacion tjetër. Marshimi nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Republikës”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Mehaj ka theksuar se përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve e ka Policia e Kosovës, teksa ka bërë thirrje që të mos u besohet dezinformatave dhe lajmeve të rreme.
“Përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve tanë e ka Policia e Kosovës e cila është në krye të detyrës dhe është duke kryer me shumë sukses punën e saj. Ju lutem mos të iu besoni dezinformatave dhe lajmeve të rreme”, ka thënë Mehaj.