Shpresat për shpëtimin e personave që ndodheshin në anijen e mbytur në Pylos po shuhen me kalimin e orëve. CNN.gr raporton se 80 persona kanë humbur jetën deri më sot (16 qershor), shifër kjo e cila nuk ka ndryshuar që nga pasditja e së mërkurës (14 qershor), dhe më shumë se 100 persona janë shpëtuar pasi anija e peshkimit me të cilën udhëtonin u përmbys në brigjet e Greqisë jugore.
Në anijen e mbytur të peshkimit “Andriana”, ka pasur gra dhe fëmijë, ndërsa emigrantët që i shpëtuan tragjedisë kanë bërë me dije se në bord ndodheshin 500-700 persona, ndonëse numri i saktë ende nuk dihet.
Autoritetet greke kanë bërë me dije se 9 egjiptianë janë arrestuar për mbytjen fatale të anijes pranë Pylos.
Individët u dërguan në Autoritetin Qendror Portual të Kalamatës ku u morën në pyetje në lidhje me trafikimin e emigrantëve , të cilët ndodheshin në bordin e anijes së peshkimit “Andriana”, e cila u rrëzua në Pylos.
Varka u fundos rreth 80 km në jug-perëndim të Pylos. Roja bregdetare tha se anija ishte parë në ujërat ndërkombëtare të martën vonë nga një aeroplan që i përkiste agjencisë kufitare të BE-së Frontex.
Emigrantët shpesh paguajnë nga 3000 deri në 6000 euro për “ udhëtimin e vdekjes ”, raporton CNN.gr.
Informacioni thotë se rrjeti i trafikut kishte një faqe në Facebook ku emigrantët dhe refugjatët e dëshpëruar kishin ikur në kërkim të “tokës së tyre të premtuar në Evropë”./rtsh