Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pasi Prokuroria Themelore e ka konfirmuar sot ngritjen e aktakuzës ndaj saj për “mosdeklarim të pasurisë”.
“Prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngritur aktakuzë ndaj meje për ‘mosdeklarim të pasurisë’. Çfarë rastësie!”, ka shkruar Gërvalla në fillim të reagimit të saj në facebook.
Ministrja theksoi se kjo çështje kishte qenë e sqaruar përfundimisht dy vjet më parë, por tani është aktualizuar siç ka thënë ajo nga prokurorë të caktuar “gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë”.
“Shpresoj që gjykata, e cila duhet të merret me këtë rast, të gjykojë bazuar mbi faktet objektive e jo interesat e prekura individuale të atyre, të cilët dëshirojnë me shantazhe dhe kërcënime të vijnë në krye të institucioneve të drejtësisë”, ka shtuar Gërvalla.
Ministrja nënvizoi se ishte e ndërgjegjshme për rreziqet që e shoqëronin punën e saj dhe se ajo dhe ekipi i saj do të vazhdojnë të luftojnë për sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Qytetari i Republikës së Kosovës na njeh të gjithëve. Edhe neve, edhe ata. Na njeh kaq mirë, sa fushatat e tilla nuk pinë ujë. Që në fillim të marrjes së detyrës nuk kam pasur iluzione. Të gjithë e kemi ditur që ata, të cilët humbën jo vetëm zgjedhjet, por edhe mundësinë për të zhvatur edhe më tej shtetin dhe paranë publike, nuk do të zgjedhin mjete në betejën e tyre për të ndalur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Madje në çdo ditë të punës sime kam qenë e ndërgjegjshme që duhet të jemi të përgatitur për rreziqe edhe shumë më të mëdha sesa fushatat denigruese”, ka theksuar tutje ministrja e Punëve të Jashtme.
Ajo ka thënë se do të vazhdojnë ballëhapur dhe me duar të pastra punën për përfaqësimin dinjitoz të vendit, rritjen e mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve tanë, mbrojtjen e sovranitetit të Republikës, reformimin e institucioneve dhe vënien në vend të ligjshmërisë së shkelur në mënyrën më brutale për kaq vite me radhë.