11 vjetori i Pavarësisë së Kosovës ka shënuar edhe herën e parë që Forca e Sigurisë së Kosovës ka parakaluar prej se ka marrë mandatin e ri, atë të Ushtrisë.
Parakalimi i Kuadrateve të njësive të Ushtrisë së Kosovës kanë shënuar ceremoninë qendrore të festimit të 11 vjetorit të shtetësisë së Kosovës. Në këtë manifestim qendror kanë marrë pjesë udhëheqës institucionesh vendore e ndërkombëtare, po ashtu edhe mijëra qytetarë kanë mbushur sheshet e kryeqytetit për të parë parakalimin e Ushtrisë së Kosovës.
Ushtarëve iu ka drejtuar komandanti suprem, Hashim Thaçi, i cili u shpreh se ata janë krenaria e vendit dhe se ata janë dëshmia më e mirë e suksesit të shtetit.
Presidenti Thaçi deklaroj se sot Kosova ka një Ushtri profesionale, multietnike e cila është e gatshme për të kontribuar për paqe në vend dhe rajon.
“Vetëm 11 vite më parë kemi filluar së bashku rrugën e konsolidimit të Republikës së pavarur të Kosovës. Para nesh qytetarë të dashur sot kemi një Ushtri profesionale, multietnike, e cila është në shërbim dhe mbrojtje të shtetit më të ri në Evropë dhe në botë, e gatshme për të kontribuar për paqe në rajon, por edhe në botë. E mirëpresim ditën kur ushtarët e Kosovës së bashku me ushtarët e rajonit do të shërbejnë për të ndërtuar paqen në çdo kënd të planetit. Vendimi për themelimin e Ushtrisë së Kosovës ishte i drejtë, legjitim dhe mesazh historik. Ju Ushtria e Kosovës jeni krenaria e shtetit tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.