Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Gjakovë, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative dhe realizimit të objektivave policore, në dy raste të ndara ka arrestuar dy persona dhe ka konfiskuar një armë, municion dhe 13 gram substancë e dyshuar narkotike.
“Në rastin e parë, rreth orës 00:30 një veturë nuk ishte ndalur në shenjën e dhënë nga policia për tu ndalur në pikë kontrolli në rrugën “Ymer Pula”. Patrulla policore është vënë në ndjekje dhe kanë arritur të ndalojnë veturën në fjalë të cilën e ngiste i dyshuari K. XH., i lindur në vitin 1999, shtetas i Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollit në posedim të tij është gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 13 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Tutje thuhet në njoftim se në rastin e dytë, patrulla policore në një pikë kontrolli në rrugën “Gjon Nikoll Kazazi” në Gjakovë, ka ndalur një veturë dhe në posedim të shoferit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë dhe tridhjetë e tetë copë fishekë.
“Lidhur me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori kompetent me vendimin e të cilit armët, municioni dhe substanca e dyshuar narkotike janë konfiskuar, ndërsa dy të dyshuarit janë ndalur në mbajtje për 48 orë”, përfundon njoftimi i policisë.