Oda Ekonomike e Kosovës ka filluar trajnimin me mundësi çertifikimi të njëzetë (20) kosulentëve digjitalë. 

Trajnimi i tyre po bëhet nga ekspertë ndërkombëtarë nga organizata prestigjioze austriake WIFI(pjesë e Odës Ekonomike Austriake WKO) dhe mbështetet nga GIZ CETEP (Krijimi i Punësimit Përmes Promovimit të Eksportit ) dhe Oda Ekonomike e Kosovës. Ky trajnim ndahet në dy pjesë, përkatësisht trajnimi bazë dhe trajnimi në tre fokus module që kategorizohen në certifikimet e mëposhtme:
Certified E-Commerce & Social Media Expert (CESE)
Certified Digital Transformation Expert (CDTE)
Certified IT Security Expert (CITSECE)

Certifikimi i konsulentëve digjitalë dhe titulli i fituar është i zhvilluar në përputhje me standardin ISO 17024 dhe është certifikim i njohur dhe pranuar në mbarë botën. Të përzgjedhurit që po vijojnë trajnimet, me titullin e fituar, do të jenë gjenerata e parë e konsulentëve digjitalë, në Kosovë dhe do ndihmojnë NVM-të kosovare drejt transformimit digjital.

Trajnimi dhe certifikimi i konsulentëve digjitalë vjen si rezultat i nevojës së bizneseve Kosovare për transformim digjital në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë, nevojë që u dëshmua edhe nga gjetjet e Studimit mbi Digjitalizimin e NVM-ve në 3 sektorë kyçë: prodhim, shërbime dhe bujqësi. Konsulentët e certifikuar digjitalë, do ndihmojnë NVM-të kosovare në procesin e digjitalizimit përmes analizës nëpër kompani dhe përpilimit të strategjisë digjitale(sipas kornizës së projektit për transformim digjital në kuadër të Odës Ekonomike).

Ky trajnim paraqet një mundësi të jashtëzakonshme  për konsulentët digjitalë për zhvillim profesional dhe ofrim të dijes për NVM-të kosovare drejt transformimit digjital.