Tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Siç edhe janë caktuar nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ato do të mbahen me 23 prill, ditë e diel.
Kështu, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, do të mund të zgjedhin kryetarët e komunave së bashku edhe me kandidatët për asamblistë.
Një javë para ditës së zgjedhjeve, KQZ-ja ka publikuar fotografi se si do të jenë fletëvotimet për kryetar dhe ato për asamblistë. Gjithashtu janë shpërndarë edhe broshura me sqarime se si duhet votuar.
KQZ-ja të premten miratoi listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit.
Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime./rtk