Tre gola në ndeshje. E jo vetëm në një. Por në pesë sosh. Me 15 shënime për kaq lojë, Loris Kolgeci, futbollisti nga Suhareka e ka ngritur klubin e tij të zemrës, Ballkanit në vendin e parë. Sulmuesi i klubit të grupmoshave U-13, vazhdon të shkëlqej në këtë kampionat. Djali nga Suhareka që ka një talent të madh futbolli, është shpresë edhe për përfaqësuesen e Kosovës.
12 vjeçari që ka befaquar trajnerin e klubit, përveq si sulmuesi kryesor, ka aftësi të përshtatjes edhe në pozitat e krahut dhe si mesfushor.
Duke parë talentin e të birit, babai i tij, Nezir Kolgeci, tha se ka menduar që djalin e tij ta dërgoj në të ardhmen edhe në shkollat më profesionale të futbollit jashtë vendit.
“Investimi më i mirë është në fëmijë. Unë jam krenar që djali im ka një talent kaq të madh. Fjalët që më thotë trajneri i tij, janë më të mirat që kam dëgjuar. Andaj, nuk do të kursej asgjë që një ditë biri im të jetë një yll futbolli”, tha Kolgeci.
E vetë 12 vjeçari i cili vijon edhe mësimet e rregullta në fillore, premton se do të punoj shumë që kur të rritet, të depërtoj në arenën ndërkombëtare.
“Kam dëshirë që të bëhem si Messi e Ronaldo. Shikoj vazhdimisht futboll në TV, derisa përveq në fushë të blertë me trajnerin e klubin, ushtroj çdo ditë edhe në shtëpi. Futbollin e kam jetë”, tha 12 vjeçari i cili dëshiron që njëkohësisht të kontribuojë edhe për përfaqësuesen e Kosovës.
Më poshtë keni disa foto të talentit i cili ka një të ardhme të ndritur.


