Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pranuar se Qeveria Haradinaj është e dobët dhe se vendi mund të shkojë së shpejti në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Qeveria është mjaftë e dobësuar për shkak se vetë çarqet qeveritare flasin për zgjedhje, po unë nuk dua të paragjykoj, por do të ishte mëkat që kjo qeveri të mos ecë përpara për shkak se Haradinaj ka investuar jo vetëm energjinë e vetë por edhe shpirtin në këtë punë”, ka deklaruar ai, në një intervistë në RTV 21

Ai më tej ka thënë se koalicioni qeverisës është i ndjeshëm dhe i cili ndoshta edhe shantazhohet.

“Është një koalicion shumë i ndjeshëm i cili ndoshta edhe shantazhohet nga të tjerët dhe më dhimbset pro-aktiviteti i kësaj qeverie. Gjithmonë ndodhë diçka, gjithmonë në shërbim të punës dhe mendoj do të ishte keq t’i ndalej puna”.

Ai më tej ka pranuar se zgjedhjet janë në duar të opozitës, ku pastaj i ka bërë ftesë partive nga opozita që t’i bashkohen Qeverisë Haradinajt.

“Më duket që zgjedhjet e jashtëzakonshme është në duart e opozitës, kështu më duket dhe Kosova mund të shkojë në zgjedhje. Unë do të ftoja një parti prej opozitës që t’i bashkohet qeverisë, nëse janë patriot të tregoj se Kosova nuk mund të jetë e varur prej një liste [Listës Serbe]. I bëj ftesë kujtdo t’i qojmë proceset përpara, kushdo që rreh gjoks dhe thotë se është patriot”, ka thënë Pacolli.