Ministri i jashtëm dhe numri dy i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka udhëtuar për në Tokio të Japonisë, ku do të ketë takime me autoritete të larta japoneze në një vizitë dy ditore.
Nëpërmjet një komunikate për medie thuhet se Pacolli do të ketë edhe shumë aktivitete me biznesmenë e miq të Kosovës.
Ky është njoftimi i plotë:
Tokyo, 1 Mars 2018 – Prej pasditës së sotme, Ministri i Jashtëm dhe numri dy i Qeverisë së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, fillon një vizitë të ngjeshur dy-ditore në Tokio, kryeqytetin e njërit prej vendeve, që e ka mbështetur më së shumti Kosovën në vitet e Pavarësisë.
I shoqëruar nga ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka, kryediplomati kosovar fillimisht do të takojë ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko.
Më pas homologu i tij japonez, Taro Kono, do të shtrojë një darkë për nder të z. Pacolli.
Gjatë takimeve, që vazhdojnë dhe nesër, ministrat e qeverisë së Kosovës, Pacolli dhe Lluka do të kërkojnë mbështetjen e gjithanshme japoneze në sektorë si energjia, infrastruktura në përgjithësi, etj.
Japonia, me afro 130 milionë banorë, fuqia e tretë ekonomike e botës, është nga donatorët kryesorë të Kosovës.
Ajo e mbështet Kosovën në shumë nisma globale dhe Organizata Ndërkombëtare. Kryeministri japonez, Shinzo Abe, ka shpallur kohët e fundit iniciativën për bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.