Me mbishkrimin “Afera Droga”, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media pas lajmit për zënien me drogë të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Besnik Mujeci në mesin e pesë personave të arrestuar nga Policia e Shqipërisë. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e tij, duke e cilësuar këtë arrestim si tradhti për besimin qytetar dhe obligimin zyrtar.
Shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri ka kërkuar urgjentisht nga organet e rendit nisjen e hetimeve për aferën “Droga”, pas arrestimit të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, të cilit, si pjesë e një grupi kontrabandues në Shqipëri, u janë zënë mbi 11 mijë doza drogë, që kapin shumën rreth gjysmë milioni euro.
Retkoceri, tha se është jashtëzakonisht shqetësuese që Mujeci është caktuar aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”, ndërkohë që sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri pikërisht me autobusë.
“Besnik Mujeci nuk është vetëm një asamblist i Komunës së Prishtinës. Ditë më parë, pikërisht me insistimin e partisë së tij, ai është caktuar si aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”. Sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri me autobusë. Arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, aksionarit të Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve”, ngre dyshimet e bazuara se caktimi i tij në këtë pozitë të lartë si aksionar i kësaj ndërmarrje, nuk ka qenë aspak i rastësishëm. Në të njëjtën kohë, i arrestuari, narko-trafikanti i Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, është miku më i afërt i Gëzim Sveçlës, shefit të asamblistëve të kësaj partie në Prishtinë. Për ju që nuk e dini, Gëzim Sveçla është djali i axhës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Kjo nuk është e tëra: Ky lloj i drogës, i shpërndarë nga narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci, prejardhjen e saj e ka në Serbi. Pra, këta, e kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë dhe Shqipëri”, ka deklaruar ai.
PDK në Prishtinë ngre dyshimet se Besnik Mujeci mund të mos jetë i vetmi i përfshirë në këtë aferë të madhe të kontrabandës dhe shitjes së drogës.
“Pyetjet tona për organet e rendit janë të qarta: Ku e mori narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci këtë sasi të drogës? Sa herë deri më sot, duke shfrytëzuar kanalet zyrtare dhe pozitën institucionale në stacionin e autobusëve, ka kontrabanduar drogë për në Shqipëri? A është Shqipëria vendi i vetëm në të cilin ka trafikuar drogë Besnik Mujeci? A ka persona të tjerë nga radhët e kësaj partie të cilët janë të përfshirë në këtë aferë të madhe të drogës? Pse Besnik Mujeci nuk është arrestuar deri më sot në Kosovë? A ka pasur mbrojtje nga zyrtarë dhe institucione të tjera në vendin tonë?”, ka deklaruar Retkoceri.
PDK në Prishtinë kërkon dorëheqjen e parevokueshme të asamblistit Besnik Mujeci, i cili ka tradhtuar besimin qytetar dhe obligimin zyrtar, si dhe llogaridhënie nga të gjithë të përfshirët në këtë aferë.
“Zyrtarët e lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, në vend që të merren dhe të kontribuojnë për sigurinë në vend, ata po e dëmtojnë sigurinë në qytet dhe shtet, po shkatërrojnë të ardhmen e të rinjve tanë duke u shitur dhe shpërndarë substanca narkotike. Një gjë po del të jetë e qartë: Në Kosovë, besnikët e Vetëvendosjes nuk zihen kurrë, sepse pushteti i mbron. Ata tregtojnë lirshëm dhe rriten e bëhen dilerë të mëdhenj, si ky asamblist, saqë i kalojnë edhe kufijtë. Besoj, Besniku sot i ka bërë krenarë të gjithë Lëvizjen e tij, por jo edhe ata qytetarë të Prishtinës, të cilët, fatkeqësisht, ia kanë besuar votën! Prandaj, edhe një herë: Dorëheqje, hetim dhe llogaridhënie, nga i pari deri tek i fundit!”, ka theksuar Retkoceri./rtk/