PDK, Vetëvendosje dhe Lista Serbe janë tri subjektet e vetme që i kanë dorëzuar aplikacionet e tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave të veriut.

Pas shqyrtimit të aplikacioneve, në fillim të javës së ardhshme, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike do t’i paraqes pas rekomandimet në KQZ. Tre nga katër kandidatët e Listës Serbe, janë të njëjtit që kanë dhënë dorëheqje para katër muajsh

Të enjten në mesnatë është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të cilat do të mbahen më 19 maj. Për këto zgjedhje kanë aplikuar vetëm tri subjekte politike, PDK-ja, Vetëvendosje dhe Lista Serbe. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha për Radio Kosovën se gjatë këtyre ditëve Zyra për Regjistrimin e Partive Politike do t’i shqyrtojë aplikacionet, ndërsa në fillim të javës së ardhshme bëhet certifikimi.

“Gjatë këtyre ditëve zyra për regjistrim të partive politike dhe certifikim do t’i shqyrtojë të gjitha aplikacionet që janë paraqitur në ZRPP. Gjithashtu kjo zyre do të mbajë komunikime me subjekte politike për të parë nëse ka nevojë për ndonjë përmirësim apo korrigjim dhe pastaj do t’i paraqes në KQZ rekomandimet përkatëse për secilin prej këtyre aplikimeve”, tha Elezi për Radio Kosovën.

Në fakt, Lista Serbe, përveç Zubin Potokut, në tri komunat tjera, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, kandidon me të njëjtit persona që ishin kryetarë deri më 27 nëntor kur dhanë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat serbe.

Në deklaratën e përbashkët, me rastin e dorëheqjes, ish-kryetarët e katër komunave veriore patën thënë se me këtë taksë, serbëve të Kosovës u është kërcënuar e drejta për jetesë, shërim dhe mbijetesë.

Katër muaj pasi këto katër komuna të banuara me shumicë serbe mbeten pa kryetarë, presidenti Hashim Thaçi, më 8 prill, i shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 19 maj.