Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për vrasjen e trefishtë të ndodhur në Gllogjan, në nëntor të vitit 2021.
Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, në konferencë për media, tha se shumë nga hetimet janë dekonspiruar nga mediat. Megjithatë, ajo u shpreh se janë gjetur prova direkte dhe rrethanore, që ngarkojnë tre të akuzuarit për vrasjen që ndodhi, kur vozitësi i një autobusi dhe dy nxënës, janë vrarë në Gllogjan.
“Ne besojmë se kemi zbuluar motivin, mënyrën, organizimin, planifikimin dhe të gjitha në lidhje me këtë rast”, tha ajo, pa dashur të japë detaje.
“Pas hetimeve prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për bashkëkryerje të vepres penale të rëndë”, tha prokurorja Gashi.
“Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale shtytje në vepër të rëndë”.
Ajo deklaroi se pa përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, për të pandehurin Malsor Mehmetaj, prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim.
“Prandaj prokuroria ka marrë vendim që kundër tij të pushojë hetimet”, tha prokurorja Gashi.
Ngritja e aktakuzës ndaj tre të dyshuarve ndodh gati një vit e gjysmë nga vrasja e trefishtë që kishte ndodhur në Gllogjan të Deçanit.
Më 26 nëntor të vitit 2021, vozitësi i një autobusit dhe dy nxënës që ishin në të, u vranë me armë zjarri në një pusi.
Të vrarë në këtë rast kanë mbetur Gani Gjokaj, vozitës i autobusit, dhe nxënësit Ledion Hamzaj e Gentiana Mustafaj. Rasti kishte tronditur opinionin publik./rtk