Angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë Serbi, nga njohësit e çështjeve politike në vend tregon se procesi mund të përshpejtohet.

Sipas tyre, për dallim nga BE-ja, e cila ka vështirësi në vendimmarrje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk tregojnë ngecje në agjendë. Megjithëkëtë zgjedhjet në Serbi, dhe paralajmërimi për reciprocitet nga qeveria e re në Kosovë mund të shtyjnë këtë proces.

Dialogu Kosovë-Serbi mund të ketë vonesa në rifillimin e tij, për shkak të zgjedhje që do të mbahen gjatë muajit prill në Serbi, por edhe procesit për zëvendësimin e taksës me reciprocitet. Megjithëkëtë, përfshirja e SHBA-së në këtë proces, tregon se nuk do të ketë më zvarritje në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Artan Murati, ekspert politik, i tha Radio Kosovës se përfshirja e SHBA-së në dialog dallon shumë nga BE-ja:

“Shihet qartë se SHBA veç është e përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe qasja e SHBA-së është krejtësisht e ndryshme nga ajo e BE-së për sa i përket efikasitetit dhe mënyrës se si kryhen punët . BE ka një problem të vazhdueshëm në vendimmarrje për faktin se edhe të proceseve dhe rregullativës së brendshme e cila duhet të konsultohen numër i konsiderueshëm i institucioneve, pastaj shteteve anëtare deri sa të  arrihet te një mendim”, ka thënë Murati.

Ai thotë se për SHBA-në mjafton që të ketë një shtytje madje edhe direkt nga presidenti i SHBA-së:

“Kjo u dëshmua edhe në praktikë me vetë faktin e arritjes së dy marrëveshjeve teknike për linjë ajrore dhe hekurudha, gjë që ka qenë e paimagjinueshme një gjë e tillë nga ana e BE-së për më tepër kur Serbia në vazhdimësi ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në proceset për dialogun përderisa nuk pezullohet ose hiqet tarifa ndaj mallrave të tyre. Kjo na lë të besojmë se një përfshirjeje edhe më e madhe e SHBA-së pa dyshim se do të ishte më e mirë ndoshta për Republikën e Kosovës, sepse kjo do të mund ta përshpejtonte procesin dhe në një far mënyre do të mund të garantohej ndoshta edhe interesi i Kosovës karshi Serbisë, sepse BE-ja jo çdo herë i ka trajtuar në mënyrë të barabartë këto dy subjekte edhe vetë dialogut Kosovës-Serbi më tepër i referohet si dialogu Prishtinë-Beograd”, th ai.

Ndërsa sipas Arton Demhasaj, nga “Çohu”, përfshirjen e SHBA-së në bisedime, e vlerëson se shumë shpejt do të ketë një marrëveshje të pranuar nga palët:

“Fakti që SHBA-ja ka angazhuar ambasadorin Grenell që është i caktuar në Berlin, e që është njëri ndër ambasadorët më të rëndësishëm, atëherë tregon se niveli i angazhimit të SHBA-së në procesin e dialogut është tepër i lartë, sepse njëri nga njerëzit më të besuar të presidentit Trump, kjo tregon se sa seriozisht e kanë marrë SHBA dialogun edhe në momentin ku ata janë angazhuar në nivel kaq të lartë atëherë ata presin që shumë shpejt të ketë edhe një marrëveshjeje e cila do të pranohej nga të dy palët”, ka thënë Demhasaj.

Sidoqoftë, analistët thotë se arritja e marrëveshjes me Serbinë nuk duhet të afatizohet, duke u fokusuar në temat me rëndësi siç është çështja e reparacioneve të luftës, e që do të jetë e ndjeshme për Serbinë për shkak të hezitimit të pranojë atë çfarë ka ndodhur në Kosovë.